Lajmet

Më 13 dhe 14 Maj Open Labs organizon edicionin e katërt të konferencës OSCAL

Feb 13 2017
0 Shpërndarje
Konferenca e parë vjetore ndërkombëtare në Shqipëri, Open Source Conference Albania, do të zhvillohet për të katërtin vit radhazi për të promovuar në një masë më të gjerë frymën e kulturës së informacionit të hapur, programet me kod burimor të hapur dhe lirinë e teknologjisë në tërësi. Më 13 dhe 14 Maj Open Labs organizon edicionin e katërt të konferencës OSCAL Photo Source: OpenLabs

OSCAL organizohet më 13 & 14 maj 2017 pranë ambienteve të OFIÇINA dhe Harry Fultz nga Open Labs Hackerspace, komuniteti që ka qëllime dhe ideologji të përbashkëta me konferencën.

Fundjava e 13-14 majit pritet të grumbullojë mbi 400 entuziastë të teknologjisë, zhvillues, agjensi si edhe profesionistë të kulturës free open source; të gjithë me besimin në një realitet ku informacioni ndahet në mënyrë të hapur dhe të lirë. OSCAL jo vetëm ofron për çdo person që ka dëshirë mundësinë për të ndarë njohuritë apo eksperiencat e veta me pjesëmarrësit, por nëpërmjet tij frymëzon dhjetëra të tjerë.

Një larmishmëri prezantimesh dhe puntori shumë interesante, që do të mbahen paralelisht në disa salla, do të jenë pjesë e të dyja ditëve të konferencës.

Pra, që prej orës 09.00 deri në orën 18:30 pjesëmarrësit do të mund të ndjekin temat e tyre të preferuara ose, nëse kanë dëshirë të përfshihen më tepër, do të mund të marrin informacione më të detajuara për projektet me burim të lirë dhe të hapur (free open source) tek stendat përkatëse të cilat gjithashtu do të jenë prezente.

Vlen të përmendet se Mozilla, Fedora, LibreOffice, OpenStreetMap, Wikipedia, phpList, Nextcloud janë vetëm disa nga komunitetet nga ku pjesëmarrësit e OSCAL mund të marrin më tepër informacion rreth projekteve.

“Internet of People” është slogan që do të shoqërojë edicionin e katërt të OSCAL, për të theksuar rolin tonë si individë në industrinë e teknologjisë. Teknologjia nuk duhet të merret si e mirëqenë, ajo nuk është! Njerëzit janë! Në fund të fundit ne e krijojmë atë. Dhe çfarë ka rëndësi më së shumti është qëllimi për të cilin zhvillohet teknologjia: impakti social që ajo shkakton.

Edicioni i fundit i OSCAL, pra ai i 2016, la pas në kohë (por jo në kujtesë) 70 prezantime dhe prezantues nga 20 shtete të ndryshme të botës (kryesisht Europës) dhe rreth 300 pjesëmarrës të frymëzuar për të mësuar më tepër rreth kulturës free open source. Qershia mbi tortë ishin të gjitha komentet pozitive, të cilat i motivojnë organizatorët të sjellin diçka edhe më të zgjeruar

Kushdo që ka dëshirë të jetë pjesë e Open Source Conference Albania mund të marrë pjesë pa pagese duke u regjistruar në oscal.openlabs.cc, ndërkohë që ekziston edhe mundësia e donacioneve për të gjithë ata që kanë dëshirë të kontribuojnë financiarisht në organizim.

Për më shumë informacion ju ftojmë të vizitoni faqen zyrtare të Open Labs. ICTSmedia dhe PCWorld.al vinë si partnerë mediatik të këtij aktiviteti. /PCWorld Albanian – Oscal

Tags >

oscal
Lajmet e fundit>