Zhvillimi i aplikacioneve Android është 30 % më i kushtueshëm kundrejt iOS

Publikuar më: 03-11-2015

Android_studio

Zgjedhja për të zhvilluar aplikacione Android ose iOS varet nga disa faktorë. Natyrisht në plan të parë ngelin të ardhura dhe fitimi. Por e rëndësishme është edhe koha dhe disponueshmëria e mjeteve për të realizuar një projekt.

Kur bëhet fjalë për të përzgjedhur mes dy platformave, iOS rezulton opsioni më i mirë. Të gjithë e dinë se zhvillimi i aplikacioneve Android kërkon më shumë kohë sesa atyre iOS.

Infinum, një kompani e cila zhvillon aplikacione mobile, ka disa statistika të cilat provojnë se zhvilluesit kanë më leverdi të zhvillojnë aplikacione iOS kundrejt Android.

Kompania ka analizuar kohën shpenzuar dhe kodin e shkruar për ndërtimin e aplikacioneve të njëjta në Android dhe iOS. Pjesë e hulumtimit janë 6 projekte të kompanisë dhe rezultatet ishin suprizuese.

Mesatarisht duhej 38 % më shumë kod për të shkruar një aplikacion Android kundrejt iOS. Në disa prej projekteve diferenca shkonte deri në 189 %.

Gjithashtu hulumtimi zbuloi se zhvilluesit shpenzojnë mesatarisht 23 % më shumë kohë në zhvillimin e aplikacioneve Android kundrejt iOS.

Por pse kodimi në Android është një proçes më i ngadaltë? Realisht janë disa faktorë. Aplikacionet Android zhvillohen në Java, gjuhë programimi kjo e cila kërkon më shumë kod krahasuar me gjuhët Swift dhe Objective-C të iOS.

Emulatorët Android janë më të ngadaltë sesa ato iOS. Ky faktor e ngadalëson në terësi projektin Android. Fragmentimi është një tjetër faktor kyç. Në Android ekzistojnë disa prodhues telefonësh dhe duhet testim i gjërë në disa lloje produktesh. Në iOS zhvilluesit kodojnë vetëm për iPhone dhe iPad. (PCWorld Albanian)

Zhvillimi i aplikacioneve Android është 30 % më i kushtueshëm kundrejt iOS
1 vote, 5.00 avg. rating (92% score)