Zbulohen llogaritë e rreme të politikanëve shqiptarë në Twitter

Publikuar më: 07-09-2012
Zbulohen llogaritë e rreme të politikanëve shqiptarë në Twitter

Sipas aplikacionit për Vëzhgim të Ndjekësve të Rremë, 55 për qind e 32,874 cicëruesve të Edi Ramës në Twitter janë llogari spami, 34 për qind janë jo aktive dhe vetëm 11 për qind vlerësohen si në nivel.

Që nga shtatori i vitit 2011, Rama ka përdorur cicërimat dhe blogjet për të bartur agjendën e vet politike, për të kritikuar qeverinë ose t’i përgjigjet akuzave të saj.

Përdorimi i rrjetit Twitter nga ana e tij në veçanti ka luajtur një rol të rëndësishëm në popullarizimin e këtij rrjeti social në Shqipëri, i cili ishte hijezuar më parë nga kundërshtari Facebook.

Llogaritë e rreme janë ato që krijohen për të vetmin qëllim për dërgimin e spamëve, derisa llogaritë jo aktive çalojnë me përditësimet e fundit.

Megjithëse ndjekësit e rremë në Twitter mund të blihen tek shumë Ueb faqe që ofrojnë shërbime për aq pak sa 0.01 dollarë, ato shihen të jenë punë e spamerëve në internet. Sa më e popullarizuar që është një llogari në Twitter aq më shumë ka gjasa që të ketë ndjekës të rremë.

Për shembull, 35 për qind e 19 milionë ndjekësve në Twitter të kryetarit të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, vlerësohen si të rreme, derisa 36 për qind janë jo aktivë, ndërsa 29 për qind vlerësohen si në nivel.

Udhëheqësi për komunikim në Partinë Socialiste, Endri Fuga, tregoi për Balkan Insight që partia kurrë nuk kishte blerë ndjekës të rremë në Twitter dhe kishte dyshuar në saktësinë e aplikacionit që kontrollon për ndjekësit e rremë.

“Në Shqipëri Twitteri nuk është rrjeti social më i popullarizuar, shumë kanë llogari që nuk janë aktive, që mund të shpjegojë numrin e të pavërtetëve nëse aplikacioni [StatusPeople] është i besueshëm,” tha Fuga.

“Unë nuk mendoj që Bill Gates dhe David Cameron janë duke blerë ndjekës të rremë në Twitter dhe unë jam i sigurtë që metodat e tilla nuk kanë qenë pjesë e punës sonë,” shtoi ai.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka disa llogari në Twitter. Njëra nga më të popullarizuarat është me 1,600 ndjekës që e përshkruan veten si një llogari zyrtare.

Sidoqoftë, një zyrtar i Bashkisë, Erald Kapri, mohoi që Basha ose stafi i tij kishin ndonjë llogari dhe tha që ajo që përshkruhet si faqja zyrtare ka gjasa që është hapur nga ndonjë përkrahës.

Përdorimi i rrjeteve sociale për qëllime politike është një trend në rritje e sipër në Shqipëri, ku depërtimi i internetit dhe përdorimit i medieve sociale është rritur në masë të madhe gjatë dy viteve të fundit. (PCWorld Albanian)

Zbulohen llogaritë e rreme të politikanëve shqiptarë në Twitter
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)