Windows 10-ta është instaluar në 50 milion pajisje kompjuterike

Publikuar më: 18-08-2015

windows10hero-100593399-largeSi po shkon ecuria e sistemit të ri operativ të Microsoft? Kompania ende nuk ka dhënë shifra të qarta përsa i përket numrit të përdoruesve të Windows 10-tës por entitete të tjera analitike nuk kanë nguruar të publikojnë raporte të ndryshme. Sipas një raporti nga burimet e WinBeta, Windows 10 tanimë është instaluar në të paktën 50 milion pajisje, ku përfshihen kompjutera, laptopë dhe tabletë.

Edhe pse kjo shifër ende nuk është zyrtare, ajo ka shumë mundësi të jetë e vërtetë duke u bazuar në shitjet e sistemeve operative paraardhës të Microsoft. Kompania lajmëroi se shiti 100 milion liçensa për instalimin e Windows 8 në 6 muajt e parë të debutimit të këtij softueri. Ndërkohë Windows 10 ka disa javë që është lançuar dhe ka arritur të prekë shifrën 50 milion, e cila tregon më së miri suksesin e këtij sistemi operativ. Vet Microsoft raportoi që Windows 10 u instalua në 14 milion pajisje që ditën e parë të debutimit.

Tanimë nuk ka dyshim që përditësimi falas i Windows 10 e ka ndihmuar Microsoft që produkti i saj të mbërrijë një bazë të gjerë përdoruesish. Sipas treguesve numri i përdoruesve të Windows 10-tës është duke u rritur me ritme të shpejta. Ndryshe nga Windows 8 të cilën Microsoft ua shiti përdoruesve, Windows 10 po ofrohet falas dhe konsumatorët nuk kanë çfarë të humbin. Nëse mendoni se kjo strategji e Microsoft do të ulë fitimin e kompanisë, kjo nuk është e vërtetë. Në një raport të mëparshëm kemi treguar se ofrimi falas i Windows 10-tës nuk do të ketë impakt financiar në Microsoft. Mbi të gjitha e rëndësishme për Microsoft është rritja e numrit të përdoruesve dhe Windows 10 po e bën më së miri këtë gjë. (PC World Albanian)

Windows 10-ta është instaluar në 50 milion pajisje kompjuterike
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)