WhatsApp finalizoi implementimin e enkriptimit fundor

Publikuar më: 06-04-2016

untitledËshtë një projekt sigurie të cilit është dashur një vit e gjysëm për tu finalizuar dhe tani WhatsApp bëri të ditur se ka implementuar terësisht enkriptimin në të gjitha platformat ku ofron aplikacione.

Kjo do të thotë se përdoruesit me versionin më të fundit të aplikacionit do të përfitojnë nga enkriptimi automatikisht. Dhe numri i këtyre përdoruesve të paktën sipas rrjetit social Facebook i cili zotëron platformën ka arritur në 1 miliard përdorues aktivë.

Sipas një zëdhënësi të WhatsApp, enkriptimi i videove të dërguara ishte faza përfundimtare e finalizimit të këtij projekti. Falë enkriptimit fundor (End to End) e gjithë përmbajtja e komunikuar mes dy përdoruesve nuk do të ruhet më në formën e tekstit në serverat e WhatsApp. Përkundër kompania e ka të pamundur të dekriptojë mesazhet kjo për shkak se çelësat e enkriptimit ruhen në paisjet e përdoruesve.

Prandaj teorikisht i bie që WhatsApp të ketë të pamundur të ofrojë informacion për autoritetet shtetërore edhe sikur ligji tja imponojë diçka të tillë si në rastin e betejës ligjore të bujshme mes Apple dhe FBI-së. Realisht WhatsApp ka filluar të implementojë enkriptimin që kur ish kontraktori i NSA-së, Edward Snowden, hodhi dritë mbi programet shtetërore të përgjimit masiv.

Kjo bëri që WhatsApp në bashkëpunim me Open Whisper Systems të fillonte integrimin e enkriptimit fundor zhvilluar nga kjo kompani. Edhe pse implementimi masiv i enkriptimit fundor është objektivi parësor i kompanisë, arritja e tij varet edhe nga vetë përdoruesit nëse kanë versionin më të fundit të aplikacionit. Megjithatë WhatsApp do të njoftojë përdoruesit për gjendjen e komunikimit të tyre nëse është i sigurtë dhe i enkriptuar apo jo. (PCWorld Albanian)

WhatsApp finalizoi implementimin e enkriptimit fundor
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)