Vala sjell ofertën verore! Vetëm 8.99 euro për dy javë pushime në bregdetin shqiptar

Publikuar më: 02-06-2015

vala-vera-2Operatori mobil Kosovar në pronësi të Telekomit vendas, Vala, ditën e sotme shënoi edhe startin e një muaji të “nxehtë” për tregun e telekomunikacionit në Kosovë. Si duket Vala po shtyn konkurrentët drejt limiteve me lançimin e produkteve të reja dhe implementimin e teknologjive të reja. Viti 2015 duket të jetë mjaft intensive sidomos me emërimin në krye të kësaj kompanie të Agron Mustafës.

Risia më e fundit e këtij operatori janë dy oferta të reja për abonetët që destinacion të tyre këtë vit kanë bregdetin shqiptar. Për kujtesë, Vala dhe Eagle Mobile nënshkruan më parë një memorandum mirëkuptimin duke rrëzuar barrierat roaming mes dy shteve dhe specifikisht mes dy operatorëve. Janë pikërisht dy ofertat e reja që përfitojnë nga kjo marrëveshje dhe bëhet fjalë për pakot Vera1 dhe Vera2.

Oferta Vera1 ka një afat kohor përdorimi prej 15 ditësh dhe me një kosto prej 8.99 Euro përmban 60 minuta bisedë, sms pa limit dhe internet 4GB.

Oferta Vera 2 përmban gjysmën e asaj që ofron Vera 1, çka do të thotë se abonetët do të kenië 30 minuta bisedë për të konsumuar, 2 GB internet dhe sms pa limit. Ndërsa ata që nuk kanë zgjedhur për të blerë asnjë nga këto pako do të tarifohen 10 cent për minutë.

“Kemi arritur që të ofrojmë një produkt sa më të mirë veror për pushuesit dhe me një çmim shumë të pranueshëm për ata që shkojnë të pushojnë. Po hedhim në treg pako, të cilat vetëm një vit më parë do të kushtonin dhjetëra herë më shtrenjtë apo që nuk kanë ekzistuar fare. Në kushte normale 60 minuta bisedë do të kushtonin së paku 48 euro”, tha shefi ekzekutiv i PTK-së, Agron Mustafa.

Siç e vumë në dukje edhe më lart, kjo nuk është hera e parë që operatori Vala sjell risi në tregun Kosovar. Ishte vetë shefi ekzekutiv që gjatë ditës së sotme në një fare mënyre konfirmoi se Vala do të vazhdojë më tej me të reja duke thënë se po punonin për të nënshkruar marrëveshje të tilla edhe operatorët e shteteve të tjera fqinje si Maqedonia apo Mali i Zi.

Duam të vëmë theksin tek limiti i internetit që po ofron Vala i cili është i kënaqshëm. Një nivel që tani po matet edhe me tregun shqiptar të telekomunikacionit që ka vite që po ofrohet internet 3G. Vala po bën revolucionin në ofrimin e shërbimeve mobile sa më cilësore siç është 3G dhe 4G. E nëse po pyesni si, u kujtojmë deri para një viti që pakoja më e mire kishte limit prej 500 MB ndërsa sot 4GB. (PCWorld Albanian)

Vala sjell ofertën verore! Vetëm 8.99 euro për dy javë pushime në bregdetin shqiptar
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)