Universiteti për Biznes dhe Teknologji inauguroi bibliotekën dhe qendrën e dijes me mbi 100 mijë libra

Publikuar më: 26-05-2015

DSC2015052500001

Në Universitetin për Biznes dhe Teknologji (UBT) u bë inaugurimi i Bibliotekës dhe Qendrës së Dijes, krijimi i të cilave është mundësuar me përkrahjen dhe financimin e popullit amerikan, përmes organizatës Internacional Book Project.

Në ceremoninë e inaugurimit ishin të pranishëm edhe Prof. Dr.Stacy Closson nga Universiteti i Kentakit, anëtare e Bordit të Internacional Book Project, përfaqësues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, mësimdhënës dhe studentë të UBT-së.

Biblioteka e UBT-së, me qendrën në saj në kampusin e ri të këtij institucioni, ka rreth 100 mijë libra dhe mëton të jetë biblioteka më e madhe universitare në vend dhe në rajon. Përveç kësaj biblioteke, UBT ka bibliotekat e saj edhe në objektin qendror në Prishtinë dhe në degët në Ferizaj e në Prizren.

Synimi i UBT është që jo vetëm të krijojë bibliotekë ku studentët dhe të interesuarit e tjerë të mund të marrin libra për lexim e hulumtim, por që hapësirën e saj ta kthejë në qendër të dijes, në përkrahje të të gjithë të interesuarve për literaturën dhe mundësitë që ofron ajo.

Rektori i UBT-së, dr.Edmond Hajrizi, duke folur për inaugurimin e bibliotekës qendrore në UBT, tha se ky paraqet një moment të rëndësishëm për UBT-në dhe për Kosovën, për faktin që sot bëhet hapja e njërës prej bibliotekave më të mëdha universitare në Kosovë, dhe njëkohësisht krijohet një koncept i ri që ne e quajmë Qendra e Dijes. “Konceptin që të mos jetë si bibliotekë, si libra, por edhe një sistem i dijes. Ky moment vjen si rezultat i një projekti, i një pune disavjeçare që është bërë në UBT, dhe duke përfshirë disa elemente të këtij sistemimi, elementeve të para, librave, trajnimit e zhvillimit të stafit, krijimit të infrastrukturës etj.”, theksoi dr.Hajrizi.

Z.Hajrizi tha se të gjitha këto sot nuk kishin qenë të mundura pa përkrahjen shumë të madhe të popullit amerikan, përmes donacionit që ka arritur nga  International Book Project, që ka misionin të ndihmojë me literaturë në tërë botën. Ai theksoi kontributin e pamohueshëm të profesorit në UBT, Ridvan Peshkopia, i cili hulumtoi dhe përzgjodhi e siguroi mbërritjen në UBT të librave profesionalë dhe shumë të rëndësishëm për studentët dhe studiuesit në përgjithësi.

Prof. Dr. Stacy Closson nga Universiteti i Kentakit, anëtare e Bordit të Internacional Book Project, që ndihmoi pakursyeshëm bibliotekën e UBT-së, theksoi se ndihet shumë e kënaqur që është në Kosovë dhe që është në UBT për të promovuar bibliotekën dhe qendrën e dijes.

Ajo lavdëroi punën e bërë nga UBT-ja në përmbylljen e projektit të krijimit të bibliotekës dhe theksoi se ka qenë profesor Peshkopia që e ka vendosur organizatën Internacional Book Project në kontakt me rektorin Hajrizi dhe pastaj kanë planifikuar dhe realizuar idenë për bibliotekën e përuruar sot.

Në fund të ceremonisë, rektori i UBT-së, dr.Edmond Hajrizi nderoi më mirënjohje Prof. Dr. Stacy Closson, organizatën Internacional Book Project, profesorin Ridvan Peshkopia, si dhe Egzona Lubotenin e Betim Gashin. (PCWorld Albanian)

Universiteti për Biznes dhe Teknologji inauguroi bibliotekën dhe qendrën e dijes me mbi 100 mijë libra
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)