Toyota prezantoi robotin 400 dollarësh Kirobo Mini

Publikuar më: 04-10-2016

Toyota hodhi hapin e parë në industrinë e robotëve dhe është përpjekja e parë e kompanisë për tu lidhur me konsumatorët përtej makinave. Roboti 10 centimetër quhet Kirobo Mini dhe do të shitet për 392 dollar.

Kompania thotë se ai mund të flasë dhe posedon inteligjencën e një fëmije pesë vjeçar. Madje mund të mësojë shprehi dhe të analizojë gjendjen emocionale me anë të nimikës së fytyrës falë një kamere dhe disa sensorëve të brendshëm.

Nisma më e re nga prodhuesi më i madh në botë i automobilave synon të rivalizojë disa prej rivalëve teknologjikë si Google dhe Apple që po investojnë fuqishëm në inteligjencën artificiale.

Biznesi i kompanisë ka filluar të vuajë që kur drejtuesit e automjeteve po plaken ndërsa gjeneratat e reja shprehin pak interes në blerjen e makinave. Kjo nuk është hera e parë që Toyota kapërcon kufirin e industrisë së makinave. Kompania në fjalë merret me ndërtimin e shtëpive, paisjeve detare deri në atë pikë sa të shesë bar i cili mund të rritet në kushte ekstreme.

Në robotikë përpjekjet e kompanisë datojnë që nga vitet 2000 kur eksperimentoi me një robot i cili luante një vegël muzikore. Së fundit është përqendruar në ndërtimin e robotëve të cilët ndihmojmë njerëzit me probleme shëndetësore. (PCWorld Albanian)

Toyota prezantoi robotin 400 dollarësh Kirobo Mini
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)