Telekom Albania vs ALBtelecom: Vizioni i Deutsche Telekom dhe eskluziviteti i Çalik Group

Publikuar më: 25-07-2015

telekomTelekom Albania nuk është ALBtelecom. Telekom Albania është operatori mobil shqiptar AMC tashmë me markën e Deutsche Telekom ndërsa ALBtelecom është operatori shqiptar i telefonisë fikse dhe mobile nën pronësinë e konsorciumit të Calik Group dhe Turk Telekom.

Janë pikërisht ato rreshta që kemi shkruar më parë “bomba me sahat” e cila mund të shpërthejë në çdo moment duke përfshirë Telekom Albania dhe ALBtelecom në një betejë për eskluzivitetin e mbajtjes së këtij emri.

Ndërsa nuk kanë munguar spekulimet më parë për një blerje të mundshme të ALBtelecom nga Deutsche Telekom përmes operacioneve të OTE-së në Greqi, situata ka përshkallëzuar në një deklaratë të vetë shefi ekzekutiv të ALBtelecom.

Në një njoftim publikuar në mediat kryesore dhe uebfaqen e ALBtelecom, shefi ekzekutiv është i prerë: Çështja do të shkojë në gjykatë. Pse? Sepse marka e re e AMC-së shkakton konfuzion mes Telekom Albania (T-Mobile AL) dhe ALBtelecom. Sipas drejtuesve të ALBtelecom, emërtimi Telekom Albania është i ngjashëm me emrin që bart gjigandi i telekomunikacionit shqiptar Albanian Telekom por me një radhitje ndryshe. Kjo po sipas ALBtelecom bie ndesh me ligjet tregtare dhe me kodet e vendosura nga QKR si dhe praktikën e kësaj të fundit.

Po le të bëjmë një analizë të thjeshtë të situatës. AMC (Albanian Mobile Communications) është operatori i parë që ka filluar operacionet në tregun mobil krijuar nga Telekomi Shqiptar në 1996 dhe barti këtë emër gjer më 23 Korrik. Në 2000, operatori u ble nga telekomi grek OTE duke mbajtur këtë emërtim por me brendin e Cosmote. Në 2011, Deutsche Telekom bleu 40 % të aksioneve në OTE duke e bërë aksionerin më të madh aktualisht. Dhe si rezultat pas plot 4 vitesh, ashtu siç e prisnim AMC-ja u ribrandua me markën e Deutche Telekom. ALBtelecom në 2007 u privatizua nga turqit e Çalik ndërsa në 2008 krijoi operatorin e dytë celularë, Eagle Mobile.

Duke pasur në konsideratë se AMC ishte një operator mobil, Deutsche Telekom duhej ta kishte emërtuar në T-Mobile AL ashtu siç ka bërë me operacionet e saj në Malin e Zi me T-Mobile ME, në Maqedoni T-Mobile MK, në Kroaci T-Mobile HR, në Hungari T-Mobile HU, në Çeki T-Mobile CZ etj. Por në Shqipëri situata është paksa ndryshe. Ndërsa të gjithë operatorët që përmendëm më lart janë në pronësi të telekomëve vendas të cilët janë që të gjithë në pronësi të Deutsche Telekom, ka bërë që brendi i këtij të fundit të implementohet në emrin e telekomit vendas si psh: Makedonski Telekom, Crnogorski Telekom, Magyar Telekom, Hrvatski Telekom. Shikoni diferencën, nuk kemi askund “Telecom” me “c” por “Telekom” me “k” dhe pikërisht këtu qëndron inkorporimi i brendin të Deutsche Telekom.

Tani se çfarë i ka thënë mendja ekzekutivëve të AMC ta vendosi emërtimin Telekom Albania këtë askush nuk e di e as nuk po kupton. Telekom vendas shqiptar është në pronësi të Calik Holding jo Deutsche Telekom.

Pse i gjithë ky konfuzion? Ndërsa tani po kalojmë në spekulime bazuar edhe në informacionet publikuar së fundi nga gazeta greke eKathimerini ku hedh dritë për një blerje të mundshme të ALBtelecom nga OTE, mund të themi se Deutsche Telekom me çdo kusht do të ofrojë shërbime fikse në vend dhe do ta arrijë këtë duke blerë ALBtelecom. Mendojmë se emërtimi Telekom Albania është pjesë e një vizioni të qartë të Deutsche Telekom për të blerë ALBtelecom dhe shndërruar në telekomin vendas siç ka bërë në çdo shtet ku ofron shërbime fikse dhe mobile. Se kur do të ndodhë kjo nuk e dimë, por Telekom Albania më shumë hedh dritë mbi planet e Deutsche Telekom në Shqipëri sesa të shkaktojë konfuzion në mesin e konsumatorëve. (PCWorld Albanian)

Telekom Albania vs ALBtelecom: Vizioni i Deutsche Telekom dhe eskluziviteti i Çalik Group
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)