Startupi i kërkimit në internet Gjirafa përfiton 2 milion dollar investim për të dërguar Shqipërinë online

Publikuar më: 10-02-2016

gjirafapartoftheteam

Suksesi i startupit Gjirafa, pjesëmarrës në edicionin e kaluar të konkursit mbarëkombëtar Albanian ICT Awards dhe fitues i Çmimit ICT Inovacioni i Vitit, nuk ka të ndalur. Google shqiptar pas suksesit të grupimit të 100 milion faqeve në shqip tani ngjitet në skenën ndërkombëtare duke tërhequr vëmendjen e investitorëve amerikanë.

TechCrunch

Mbase keni të drejtë të mendoni se Google është motori kryesor kërkimor në internet por kjo nuk vlen për vendet shqipfolëse. Kështu shprehet Mërgim Cahani, bashkëthemelues dhe CEO i startupit lokal Gjirafa për prestigjozen TechCrunch.

Kompania e tij jo vetëm që ka zhvilluar një motor kërkimi i cili ka sfiduar njëkohësisht kompleksitetin dhe unikalitetin e gjuhës shqipe, por gjithashtu ka zgjidhur gjëgjëzën veza apo pula të rajonit ku një pjesë e madhe informacionit që përdoruesit kërkojnë në internet realisht nuk është i disponueshëm online.

Për të zgjidhur këtë ngërç, Mërgimi dhe ekipi i tij kanë transferuar një informacion të bollshëm nga offline në online. Ambicjet e Gjirafa shkojnë më tej me krijimin e një databaze të stilit të Yelp duke ofruar informacione rreth bizneseve lokale.

Një formë tjetër sesi Gjirafa ndjek vizionin e Google është teknologjia Street View zgjeruar bujshëm nga gjigandi i motorit të kërkimit. Në rastin e Gjirafa, paisjet e përdorura për të fotografuar janë ato që mund të prisni nga çdo vend në zhvillim siç është rasti i Shqipërisë.

Për të ndjekur këtë mision, startupi përfitoi plot 2 milion dollar investim nga Rockaway Capital. Ky fond do të përdoret për zhvillimin e ekonomisë së internetit në rajon duke dixhitalizuar informacionin në Shqipëri dhe Kosovë. Kjo do e shndërronte Gjirafa në një lider rajon në kërkim, e-commerce dhe reklamim. (PCWorld Albanian)

Startupi i kërkimit në internet Gjirafa përfiton 2 milion dollar investim për të dërguar Shqipërinë online
2 votes, 5.00 avg. rating (95% score)