Sofware Freedom Conference 2009 nisë për herë të parë në Kosovë

Publikuar më: 26-08-2009

Me 29 dhe me 30 gusht të këtij viti do të mbahet konferenca vjetore mbi Softuerin e lirë dhe të Hapur, të cilën e kanë marrë përsipër ta organizojnë Asociacioni Kosovar për Softuer të Lirë dhe të Hapur (FLOSSK) dhe Universiteti i Prishtinës, dhe gjatë kësaj konference do të promovohet softueri i lirë dhe me kod të hapur si dhe do të shkëmbehen përvojat mes përdoruesve vendorë dhe atyre ndërkombëtar.

Software Freedom Conference 2009 (SFK ’09) do të organizohet këtë vit duke filluar nga ora 8 e 30 me 29 dhe 30 gusht në ambientet e Fakultetit te Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, në kuadër të Universitetit të Prishtinës. Gjatë këtyre dy ditëve do të prezantohen autorë dhe ekspertë të ndryshëm, vendor dhe ndërkombëtarë, nga fusha e Softuerit të Lirë dhe të Hapur nga të cilët vlen të përmenden:

  • Giussepe Maxia nga Sun Microsystems i cili njëherësh është edhe menaxher i komunitetit të MySQL
  • Dan Charchidi nga Massachusetts Institute of Technology (MIT) i cili do të flasë për Open CourseWare (OCW)
  • Flavia Marzano, përfaqësuese e Italisë në Komisionin Evropian për çështjet e Softuerit të Lirë dhe të Hapur
  • Brian King nga Mozilla që do të flasë për shfletuesin Firefox dhe shtojcat e tij.

Në total do të ligjërohet për mbi 40 tema të ndryshme duke filluar nga çështjet e lidhura me Enciklopedinë e Lirë Wikipedia, GNU/Linux, licencat e pronësisë intelektuale, ndërtimin e komuniteteve, si dhe programimin në gjuhët PHP dhe Python. Duke pasur parasysh tërë këto veçori që u përmendën më lartë, kjo konferencë lirisht mund të quhen një nga më të mëdhat në Evropën Juglindore.

Konferenca mbahet nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës dhe është përkrahur nga një numër i madh donatorësh duke përfshirë edhe PC World Albanian. Lista e donatorëve përfshin: IPKO, Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), USAID nëpërmjet programit KPEP, Ministria e Energjisë dhe Minierave, Mozilla, PCWorld Albanian, Rrota, Sun Microsystems, Crimson Capital, Telegrafi.com, Kosovapress, si dhe Koha Ditore dhe KohaVision (KTV).

Konferenca është e hapur për pjesëmarrësit gjatë dy ditëve të mbajtjes, ndërsa organizatorët rekomandojnë që të bëhet regjistrimi online në http://sfk09.evenbrite.com. Orari i detajuar i prezantimeve si dhe informata më të hollësishme për konferencën mund të gjinden në ueb  faqen zyrtare të organizatës FLOSSK  www.kosovasoftwarefreedom.org

Sofware Freedom Conference 2009 nisë për herë të parë në Kosovë
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)