Skype Meetings quhet shërbimi më i ri i Microsoft për bizneset e vogla

Publikuar më: 11-07-2016

animation-tabletJavën e kaluar Microsoft hodhi dritë mbi një mjet të ri komunikimi me zë dhe video dizenjuar specifikisht për bizneset e vogla. Quhet Skype Meetings dhe esencialisht kemi të bëjmë me një version të zvogëluar në funksionalitete të Skype for Business.

Skype for Business është një produkt fantastik i cili bën të mundur realizimin e video konferenca deri në 250 pjesëmarrës dhe është thellësisht i integruar me Outlook, Word dhe PowerPoint.

Nga ana tjetër Skype Meetings është i kufizuar në integrim vetëm me PowerPoint ndërsa video thirrjet janë të limituara në 10 pjesëmarrës. Pjesëmarrësit mund tu bashkohen këtyre video konferencave pothuajse nga çdo paisje falë URL-ve të personalizuara. Thirrjet e Skype Meetings mbështeten në po të njëjtën teknologji që shfrytëzon Skype for Business.

Duke qenë se Microsoft e sheh të ardhmen e Skype Meetings si një shërbim Freemium, menjëherë del në pah një detaj mjaft i rëndësishëm, pas 60 ditësh përdorimi numri i pjesëmarrësve në video konferencat reduktohet nga 10 në vetëm 3. Mund të duket paksa e çuditshme sepse edhe versioni falas i Skype lejon video thirrjet në grup me 10 persona por që në të vërtetë nuk përmban asnjë prej funksionaliteteve të versioneve të biznesit.

Këtë mjet të ri komunikimi e shoh qartësisht si një lëvizje të Microsoft për të konkurruar në mënyrë direkte me Hangouts, shërbim të cilin Google e ka integruar në suitën e saj Office. (PCWorld Albanian)

Skype Meetings quhet shërbimi më i ri i Microsoft për bizneset e vogla
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)