Samsung prezantoi smartfonët Galaxy Note 5 dhe Galaxy S6 Edge+

Publikuar më: 14-08-2015

twophones-100607088-largeDeri dje spekullohej për Galaxy Note 5, smartfon i cili është bërë realitet. Samsung krahas Note 5 ka sjellë dhe Galaxy S6 Edge+, pasardhësin e S6 Edge i cili ka përmasa më të mëdha se ky i fundit. Por le ti paraqesim njëra pas tjetrës specifikat e këtyre dy produkteve të reja.

Fillojmë me Galaxy Note 5 për të cilin mund të themi se është shumë hapa para modeleve të mëparshme të kësaj serie. Në këtë pajisje, Samsung ka zgjedhur të implementojë proçesorin e saj tetë bërthamësh 2.1GHz Exynos 7420 të shoqëruar nga 4GB RAM. Note 5 ka një ekran 5.7 inç Quad HD Super AMOLED me rezolucion 2560×1440. Kamera frontale e këtij smartfoni është 5 megapiksel ndërsa ajo kryesore 16 megapiksel. Note 5 vjen në dy variante memoriesh; ju mund të zgjidhni mes versionit 32 GB ose atij 64 GB. Smartfoni furnizohet nga një bateri me kapacitet 3000 mAh. Përsa i përket pjesës së jashtme, Galaxy Note 5 ka përmasa 153.2×76.1×7.6 mm, peshon 171 gram dhe është i disponueshëm në ngjyrë të zezë dhe të bardhë.

Fatkeqësisht, Samsung nuk i ka vënë veshin ankesave të konsumatorëve dhe nuk e ka pajisur këtë smartfon me një kartë microSD, përdoruesit duhet të mjaftohen me kapacitetin e memories të vendosur nga kompania. Sigurisht që nuk do të mungonte një stilolaps dixhital për Galaxy Note 5, të cilin kompania e ka emërtuar si ‘S-Pen’.

Përsa i përket Galaxy S6 Edge+, mund të themi se është ai që kishim pritur, një version më i madh në përmasa i Galaxy S6 Edge. Megjithatë në pjesën e brendshme, ky smartfon është më tepër i ngjashëm me Galaxy Note 5. Nëse doni një ekran të harkuar me përmasa të mëdha mund të zgjidhni S6 Edge+. Mund të themi se lançimi i një smartfoni të tillë do të kishte më shumë kuptim të shoqëronte Galaxy S6 Edge, ashtu si Apple lançoi iPhone 6 dhe iPhone 6+ në të njëjtën kohë.

S6 Edge+ fsheh në brendësi një proçesor 2.1GHz Exynos 7420 të shoqëruar nga 4GB RAM. Ai ka një ekran 5.7 inç Quad HD Super AMOLED në të cilin është vendosur një kamera frontale 5 megapiksel ndërkohë kamera kryesore është 16 megapiksel. Ashtu si dhe Galaxy Note 5 dhe S6 Edge+ vjen në dy versione; 32 GB ose 64 GB dhe furnizohet nga një bateri me kapacitet 3000mAh. Ky smartfon peshon 153 gram dhe ka përmasa 154.4 x75.8×6.9 mm. Ju mund të zgjidhni të blini S6 Edge+ në ngjyrë të zezë ose floriri.

Ashtu si dhe modelet parardhëse, Samsung ka pajisur Note 5 dhe S6 Edge+ me teknologjinë e karikimit përmes wirelessit nën standartet WPC dhe PMA. Përveç kësaj Samsung ka sjellë disa risi në softuer duke ofruar mbështetje për transmetimet full HD përmes YouTube dhe për kualitet të lartë audio. Pa dyshim që nuk mungon dhe mbështetja për sistemin e pagesave të vet kompanisë, Samsung Pay. Deri më tani këta smartfona duket mëse të mirë por verdiktin përfundimtar e ka në dorë publiku.(PC World Albanian)

Samsung prezantoi smartfonët Galaxy Note 5 dhe Galaxy S6 Edge+
1 vote, 2.00 avg. rating (62% score)