Risia “Instant Articles” në Facebook sjell lajmet e mediave prestigjoze në kryefaqen e rrjetit social

Publikuar më: 03-05-2015

facebook-new-news-feed1_2040.0

Nga fundi i këtij muaji do të filloni të shikoni artikuj të plotë dhe video-lajme nga mediat prestigjoze si New York Times, BuzzFeed apo National Geographics në kryefaqen tuaj të Facebook, sipas The Wall Street Journal. Bëhet fjalë për funksionalitetin Instant Articles për të cilën ka kohë që po punohet. Facebook ka shprehur dëshirën që përdoruesit të kenë mundësi të lexojnë artikujt e lajmeve pa u larguar nga ky rrjet social dhe Instant Articles është një produkt që e përmbush këtë qëllim.

Detajet kryesore të kësaj risie u zbuluan nga The Times në muajin Mars, por The Wall Street Journal ka zbuluar me tepër për mënyrën se si Facebook do të manaxhojë publikimet. Sipas një skeme që është duke u shqyrtuar, publikuesit do të përfitojnë 70% të ardhurave nga reklamat nëqoftëse Facebook dëshiron ti shoqërojë lajmet nga reklama, ndërsa Facebook vet do ti takojnë 30%. Kjo do të thotë që Facebook nuk po e sheh Instant Articles si një burim të ardhurash por si një formë për të mbajtur përdoruesit brenda kufijve të rrjetit social duke i ofruar atyre akoma më shumë përmbajtje. Në këtë mënyrë të ardhurat e Facebook do të rriten në mënyrë indirekte.

Aktualisht Facebook ka një prezencë në biznesin e lajmeve. Një pjesë e lajmeve më të rëndësishme publikohen në këtë rrjet social duke sjellë rritjen e trafikut të publikimeve. Shumë faqe po kërkojnë të marrin kontroll në Facebook pasi e shohin atë si mundësi për biznesin e tyre. Me ardhjen e Instant Articles, Facebook pretendon se do të rritet lexueshmëria në këtë rrjet social, kjo për shkak se artikujt duan vetëm pak sekonda për tu publikuar në kryefaqe. Instant Articles ka shumë mundësi që të bëhet i disponueshëm brenda këtij muaji. (PC World Albanian)

Risia “Instant Articles” në Facebook sjell lajmet e mediave prestigjoze në kryefaqen e rrjetit social
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)