Richard Stallman mbajti ligjëratë në Prishtinë

Publikuar më: 04-06-2010

Në një sallë të mbushur plotë me të interesuar për softuerin e lirë, lansuesi i projektit GNU që kishte si qëllim krijimin e një sistemi operativ alternativ të lirë të Unix-it, paraqiti idetë e tij në lidhje me Shoqërinë Digjitale dhe me lirinë e saj.

Arianit Dobroshi nga FLOSSK, mbajti fjalinë hyrëse dhe shprehu një falënderim të veçantë për pjesëmarrjen e z.Stallman dhe falënderoi edhe përkrahjen e dhënë nga USAID dhe KPEP. Pas proceduarve, fjalën e kishte i ftuari special.

“Sot do t’ju tregojë disa gjëra që kanë të bëjnë me lirinë e shoqërisë digjitale dhe me kërcënimet që kanë të bëjnë me të” tha ai.

“Deri më sot unë kam gjetur gjashtë kërcënime ndaj shoqërisë digjitale: vëzhgimi, censura, formatet e skedarëve për të dhënat, softueri i pronarit, softueri si shërbim dhe lufta ndaj shkëmbimit”.

“Në kohën e sotme digjitale shumica e pajisjeve nuk janë të lira dhe nuk janë të sigurta. Ato si të tilla shfrytëzohen nga qeveritë e ndryshme për të përcjellë dhe për të vëzhguar lëvizjen e secilit dhe për të krijuar një sistem vëzhgimi tek të gjithë, gjë që në mënyrë të drejtpërdrejt kërcënon lirinë tonë” u shpreh z. Stallman. “Për këtë arsye unë nuk kam celularë! Thjeshtë nuk dëshirojë që “vëllai i madh” të di se ku jam dhe çfarë po bëjë. Kjo pajisje mund të tregojë çdo gjë mbi ju. Ku jeni, çfarë po bëni, të transmetojë sinjale me zë tek pala e tretë, të dërgojë sinjal mbi pozitën tuaj, etj. Kjo është arsyeja pse unë nuk dëshirojë këtë formë të komunikimit, sepse ajo më ngulfat lirinë”.

“Ju nuk duhet të jeni të lidhur. Ju duhet të jetoni të lirë dhe keni të drejtë të jeni të lirë. Nuk ka nevojë që çdo kush të përcjellë lëvizjet tuaja. Këto gjëra mund të ndryshojnë nëse përkrahet softueri i lirë”.

Sipas tij censura është një element tjetër shqetësues në shoqërinë e lirë digjitale. “Kemi vende që bllokojnë faqe pa asnjë arsye. Për shembull Danimarka ka një listë të gjatë me faqe të cilat i ka bllokuar por nuk i bënë të ditura ato arsye. Për fat të mirë disa njerëz e kanë postuar atë listë në Wikimedia, por ka edhe vende si Australia që vendosin censurë edhe mbi atë faqe që posedon atë listë”.

Një faktor tjetër shqetësues që po cenon Lirinë e Shoqërisë Digjitale janë edhe formatet e skedarëve për të dhëna, të cilat janë sekrete ose të patentuara.

“Formatet e mbyllura apo të patentuara kufizojnë shpërndarjen e tyre dhe si të tilla pengojnë lirinë e shoqërisë digjitale. Ka raste për shembull si Televizioni Publik i Italisë i cili ka një format të quajtur VC1 që bazohet në SIlverlight, dhe që është format i standardizuar, duke kufizuar në këtë formë lirinë e njerëzve për të qenë të informuar”.

“Ka edhe formate si mpeg4, që nuk është sekret por ka kufizimet e veta. E gjithashtu të mos harrojmë të cekim se YouTube bazohet në një standard të Adobe Flash, që është i kufizuar dhe është armik i softuerit të lirë”.

“Një gjë që Google ka bërë për të mirën e softuerit të lirë është prania e formatit VP8, që është një format i kompresimit të videove dhe është pronë e Google, që ofrohet për videot në Definicion të Lartë (HD). Pra kur ju ngarkoni në YouTube video në definicion të lartë ju i kontribuon softuerit të lirë. Për fat të keq ky format vlen vetëm për videot në HD, por nëse dikush do të zhvillonte një skript për konvertimin e videove SD në HD për VP8, atëherë lëvizja drejt lirisë do të ishte edhe më e dukshme”.

Softueri me Pagesë

“Nëse një program nuk ju respekton lirinë, atëherë ai është pjesë e kolonizimit digjital” u shpreh Richard Stallman në lidhje me softuerin pa pagesë apo më mirë thënë me softuerin që i takon pronarit.

Ai thotë se softueri i lirë i takon përdoruesit ndërsa softueri i pronarit i takon zhvilluesit. “Softueri i pronarit ka fuqi mbi përdoruesin dhe nuk ju lejon të jeni të lirë që të vendosni se çfarë do të bëni me kompjuterin tuaj. E pse të mos shfrytëzoni softuer që ju lë të lirë të bëni çfarë të doni dhe të komandoni ju e jo pronari, çdo gjë që ndodh në kompjuterin tuaj.

Sipas tij pajisjet si iPhone dhe iPad (të cilat asnjëherë nuk i tha me emër por iu referua si iGrown dhe iBad) janë shembull më i keq i kufizimit të lirisë së përdoruesve. “Tani Apple ka shkuar edhe në kufij të kufizimit duke kontrolluar edhe aplikacionet që ju instaloni në pajisje si iGrown apo iBad. Madje ata kanë të drejtë edhe të fshijnë një aplikacion, nëse për shembull mas dy viteve vendosin se ai më nuk është i përshtatshëm”.

“Apo në rastin tjetër kemi Amazon Swindle (Kindle) që ka një derë të prapme, që i mundëson Amazon të kontrollojë çdo libër që keni në këtë pajisje. Ajo madje mund të fshijë edhe një libër nga libraria juaj nëse ka dëshirë ta bëjë këtë. Prapë këtu kemi kufizimi të lirisë së përdoruesve”.

Sipas z.Stallman, më mirë është të blesh libra me para kesh dhe të jesh i lirë sesa të blesh libra online ku ka kufizime të jashtëzakonshme.

“Unë i blej librat me pare kesh. Kjo më bënë të lirë. I jap të hollat, blej çfarë libri dëshirojë, ia huazojë mikut dhe më pas mund të vendos që t’ia shesë bibliotekës apo dikujt tjetër. E përveç kësaj ky libër është i vendosur në raftin tim dhe asnjë zyrtarë qeveritar nuk mund të nuhas në librarinë time se çfarë kam aty”.

“Rast krejt i kundërt është Amazon Swindle. Çdo libër që ju keni blerë, është e regjistruar në një databazë të të dhënave të kompanisë Amazon. Më e keqja është se nëse shkoni te miku juaj, mund të ndodh që ju të gjeni një dhomë të zbrazët pa libra. Kur do të kërkoni një libër prej tij, ju do të duhej të merrni me vete pajisjen e tij, pra tërë librarinë e tij, gjë që është e tepërt për tu kërkuar. Në këtë formë ju do të shkatërroni një shoqëri të mundshme, sherri i kufizimeve të lirisë”

Kosova duhet të implementojë softuer të lirë në shkolla

Ai theksoi se prania e softuerit të lirë dhe lirisë nëpër institucionet arsimore është diçka e domosdoshme për vendet që dëshirojnë të avancojnë shoqëritë e ardhshme drejt softuerit të lirë dhe që dëshirojnë të mos jenë të varura nga softueri me pagesë.

“Sot jam takuar edhe ministrinë e Arsimit të Kosovës, i cili u shpreh i gatshëm që të ndihmojë në implementimin e softuerit të lirë nëpër shkollat e Kosovës. Kjo do t’i ndihmojë shumë vendit tuaj për tu zhvilluar dhe për të qenë të lirë e jo të varur dhe të dobët. Duke vepruar në këtë drejtim ju do të bëheni më të fuqishëm dhe do t’i hapni rrugë të tjerëve që të kuptojnë më shumë mbi lirinë e softuerit”.

Në fund ai trajtoi edhe pikat tjera kërcënuese ndaj lirisë së shoqërisë digjitale. “Softueri si shërbim është një kërcënim tjetër që na është paraqitur. Ju në vend se të shfrytëzoni makinën tuaj lokale të vendosur në shtëpi për të lëshuar një program, ju do të shfrytëzoni makinën e dikujt tjetër për të lëshuar një program.

“Kjo do të thotë se ju nuk jeni të lirë të kontrolloni më asgjë në lidhje me lirinë tuaj. Ai që menaxhon serverin kontrollon programet dhe nevojat tuaja. Edhe pse ju mendoni se ju po kontrolloni gjërat nuk është ashtu”.

Për sa i përket shkëmbimit të të dhënave z.Stallman vuri në pah dukuritë e sotme që janë të pranishme anembanë botës në lidhje me shkëmbimin e të dhënave. “Duhet lejuar shkëmbenim e softuerit dhe nuk duhet kufizuar lirinë. Unë kam ide edhe për mënyrën sesi do të mund të paguhej puna e artistit, në lidhje me një përmbajtje të caktuar”

“Përmes taksave apo një opsioni tjetër për donacion pa pagesë, përdoruesit do të ishin në gjendje të dëgjojnë, shikojnë apo çkado tjetër atë përmbajtje, por në të njëjtën kohë ata përmes një klikimi ata do të mund të ofronin edhe një pagesë të themi prej 10 cent për të kontribuar në pagën e artistit.

“Përmes këtij sistemi dhe duke shfrytëzuar kurba konkave, ne do t’ju ofronim hapësirë për të fituar të holla edhe artistëve të rinj. Ani pse artistët më të njohur do të fitonin më shumë se këta më pak më të njohur, prapëseprapë ne do t’i ofronim një lloj përkrahjeje më të mirë artistëve në zhvillim e sipër”.

Në fund Richard Stallman u përgjigj ndaj disa pyetjeve të pranishmëve në sallë, ndërsa më pas ai dha një intervistë ekskluzive për PC World Albanian të cilën do të mund ta lexoni në numrin e ardhshëm të revistës PC World Albanian.

Richard Stallman mbajti ligjëratë në Prishtinë
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)