Rama: E gjetëm portalin e-Albania me vetëm 13 shërbime online, sot ka 260 të tilla

Publikuar më: 18-05-2016

13179055_1289520561077159_8574570420698187062_n“Trashëguam një sistem të shërbimit online e-Albania me vetëm 13 shërbime dhe sot janë 260 shërbime online dhe 570 shërbime të tjera me natyrë informative. Sot këto 260 shërbime online, përdoren nga ende pak njerëz, por janë aty për t’u përdorur nga të gjithë. Është e sigurt që një vit më pas, ne do të kemi bërë një progres shumë të madh. Progesi në këtë fushë është shumë i shpejtë dhe ndryshimet janë të jashtëzakonshme brenda një harku kohor shumë të shkurtër”.

Kështu deklaroi këtë të hënë, Kryeministri i vendit, z. Edi Rama gjatë fjalës së tij, në ceremoninë e organizuar me rastin e inaugurimit të Godinës së Inovacionit. Kreu i Qeverisë përmendi se, në numrin e shërbimeve që jepen drejtpërdrejt online, janë dhe shërbimi i lejeve të ndërtimit apo ai i pagesës së energjisë elektrike, që sot kryhet lehtësisht nga shtëpia, duke evituar radhët dhe burokracitë.

Duke u ndalur më tej tek dobia që sjell përdorimi i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, Kryeministri shtoi se është e domosdoshme që shteti të arrijë të kryejë shërbimin për qytetarin për çdo dokument që është vetë shteti që e prodhon.

“Të mos kemi më nevojën si shtet dhe detyrimin si qytetar, që për të marrë një shërbim, të duhet të marrim ne vetë një numër, nganjëherë me dy shifra dokumentesh në shtet, në institucione të ndryshme, por të gjitha dokumentet që shteti duhet të japë për qytetarët të jetë detyre e shtetit që t’i dorëzojë në emër të qytetarit në shërbimin përkatës ku këto dokumente duhen. E këtë, ne duhet ta kthejmë në detyrim ligjor për shtetin.

Por që ta kthejmë në detyrim ligjor për shtetin nuk mjafton dëshira dhe vullneti, na duhet të kemi një sistem të dhënash dhe një sistem ndërveprimi online mes te gjitha institucioneve, në mënyrë që kjo të bëhet e mundur dhe që qytetari kur merr një shërbim online, të ketë detyrim vetëm dokumentet që merren nga institucione jo shtetërore, në rast se të duhen për të marrë shërbime, fjala vjen, bankat ose institucionet e tjera jo shtetërore.E gjithë kjo është një utopi, por është një mundësi, është një domosdoshmëri, është një qëllim i yni shumë i qartë në rrugën e të cilit ne jemi”, u shpreh Kryeministri.

Godina e Inovacionit është qendra e parë publike e inovacionit në Shqipëri, me perspektivën për t’u shndërruar në një qendër shkëmbimi rajonal. Ky ambient ofron do të ofrojë sipërfaqe të përshtatshme për krijimin e hapësirave open-space, për të rinj me ide inovative që duan t’i zhvillojnë dhe kthejnë në biznese të suksesshme. Të rinjve do t’u sigurohet trajnim në fusha të ndryshme, financim përmes projekteve dhe ndjekje të aktivitetit sipërmarrës. Hapësira do të akomodojë start up-e të ndryshme në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit dhe synon të kthehet në një nga qendrat më të rëndësishme komunitare në fushën e inovacionit.

Qendra ka një sipërfaqe prej 900 metrash katrore dhe siguron hapësirë dhe mjete pune për 150 të rinj. Ajo është ndërtuar në formën e një qendre rinore më hapësira të përshtatshme për studim, punë por edhe çlodhje. (e-Albania/PCWorld Albanian)

Rama: E gjetëm portalin e-Albania me vetëm 13 shërbime online, sot ka 260 të tilla
1 vote, 5.00 avg. rating (92% score)