Qualcomm detajoi proçesorët e rinj Snapdragon 425, 435, 625 dhe platformën Wear 2100

Publikuar më: 11-02-2016

DSCN0194-800x600Ditën e sotme Qualcomm prezantoi disa produkte të reja të cilat do ti shtohen ambicjeve të kompanisë për të sunduar tregun mobil. Gjatë një takimi me analistët, shefi ekzekutiv Steve Mollenkoph hodhi dritë mbi një çip të ri LTE X16 me shpejtësi transmetimi gigabit, proçesorët e rinj Snapdragon 625, 435 dhe 425 dhe një çip për veshjet elektronike, Wear 2100.

Do të jenë telefonët inteligjentë me kosto të ulët, 99 dollar deri më 399 dollar, ata që do të përfitojnë nga risitë e proçesorëve të rinj Snapdragon. Gjatë Kongresit Mobil Botëror pritet që Qualcomm të debutojë zyrtarisht në telefonët e parë proçesorin Snapdragon 820.

Ndërsa fokusohemi tek modelet e reja, Snapdragon 625 është një proçesor me tetë bërthama ARM Cortex-A53 i aftë të realizojë video 4K duke ofruar mbështetje për kamerat me sensor deri në 24 megapiksel dhe teknologji Wi-Fi 802.11 ac. Telefonët me këtë proçesor do të ofrojnë 35 % më shumë jetëgjatësi sesa paraardhësi, Snapdragon 615. Modeli 625 është ndërtuar mbi arkitekturën 14 nanometër dhe bart modem LTE X9.

Edhe Snapdragon 435 do të ketë në përbërje tetë bërthama dhe modem LTE X8 me shpejtësi deri në 300 Mbps. Në aspektin e fotografisë, 435 ofron mbështetje për sensorë kamerash deri në 21 megapiksel.

Snapdragon 425 do të jetë proçesori për telefonët me kosto të ulët i cili në përbërje do të ketë katër bërthama, model LTE X6 dhe mbështetje për sensorët 16 megapiksel.

Ndërsa lëmë mënjanë proçesorët, Qualcomm zbuloi modelin LTE X16 me shpejtësi deri në 1Gbps. Ky produkt do të hapë rrugën drejt realitetit virtual, internetit të gjërave, shërbimeve cloud dhe aktualisht rezulton të jetë më i shpejti në botë.

E fundit por jo më e parëndësishmja është platforma e re për veshjet elektronike, Qualcomm Wear 2100 i cili bart një modem LTE të integruar. Orët e para inteligjent me këtë platformë harduerike do të mbërrijnë jo përpara fundit të vitit në modelin edicionin e dytë të LG Watch Urbane LTE.

Qualcomm Wear 2100 është një variant njëkohësisht dhe pasardhës i Snapdragon 400 por në përmasa më të vogla dhe zotëron një efikasitet më të lartë ndaj konsumit të energjisë. Si rezultat, produktet e reja me këtë proçesor do të kenë jetëgjatësi më të lartë baterie, dizajn më të hollë dhe lidhje konstante interneti. (PCWorld Albanian)

Qualcomm detajoi proçesorët e rinj Snapdragon 425, 435, 625 dhe platformën Wear 2100
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)