Plus Communication lançon zyrtarisht shërbimet 3G

Publikuar më: 14-04-2016

13001182_1278735442141414_8847280926804019651_nPas plot 19 muajsh nga akordimi i liçensës 3G, operatori i kartërt dhe më i vogli në tregun shqiptar të shërbimeve mobile, Plus Communication, ka lançuar zyrtarisht shërbimet komerciale 3G.

Në rrjetin social Facebook, Plus publikoi një reklamë me titull “#MëShumëBuzëqeshje” e cila vë theksin tek nevoja e të qenurit i lidhur me internetin. Në Prill të 2015-tës, Plus njoftoi abonentët e saj se kishte filluar testimet e shërbimeve 3G në qytetin e Tiranës me premtimin se së shpejti 3G do të komercializohej dhe të përhapej edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë.

U deshën 12 muaj që kjo të bëhej realitet, dhe tani 3G-ja e Plus është shtrirë në pjesën më të madhe të Shqipërisë. Kompania e fitoi autorizimin individual më 15 Shtator 2014 në një kohë kur po përgatitej këshillimi dhe tenderi publik për startin e ofrimit të shërbimeve 4G.

Edhe pse kjo mund të konsiderohet si sukses për operatorin modest, i vetmi me investitorë shqiptarë, akoma ngelet pas krahasuar me rivalët në treg si Vodafone, Telekom dhe ALBtelecom, që të tre të aftë të ofrojnë 4G+. Që nga vera e vitit të kaluar tre operatorët në fjalë kanë filluar ofrimin e shërbimeve 4G LTE duke reklamuar shpejtësi përtej 100 Mbps në telefonët tanë.

Nuk kanë qenë të pakta apelimet e Plus për ofrimin falas të autorizimit të liçensës 3G pas disa dështimeve në tenderat publik për fitimin e të drejtave të ofrimit me argumentin se dëmtohet konkurrenca. Plus gjithashtu ka qenë iniciator i një padie ndaj operatorit më të madh në vend, Vodafone Albania, me arsyetimin e ky i fundit ka krijuar monopol me planin tarifor Vodafone Club ku AKEP rrëzoi këto pretendime. (PCWorld Albanian)

Plus Communication lançon zyrtarisht shërbimet 3G
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)