Përfundon me sukses TechDay 2010 – Ferizaj

Publikuar më: 03-08-2010

Iniciativës së marrë nga programeri ferizajas Bajram Hoxha, që njëherit është njëri ndër administratorët e grupit të mirënjohur kosovar KHG / Kosova Hackers Group, iu përgjigjën disa nga kompanitë dhe agjensionet më të njohura në Kosovë.

Konferenca u realizua në bashkëpunim me KK Ferizaj, përkatësisht me Drejtorinë për Rini, Kulturë dhe Sport të këtij qyteti, me datën 1 gusht të këtij viti.  Edhe pse ishte kohë jo e përshtatshme për organizime të ndryshme, numri i pjesëmarrësve ishte modest dhe rezultoi me interesim mjaftë të madh tek të pranishmit që ishin prezent në këtë konferencë, të cilet kishin mundësi të kyqen me pyetje të ndryshme, që kryesisht kishin të bëjnë më implementimin e teknologjisë në Kosovë.

Konferencës i parapriu drejtori i kompanisë Gashi Computers,  z.Hazir Gashi, i cili para të pranishmëve foli rreth historikut të kompanisë Gashi, gjatë së cilës ai spjegoi sesi nga iniciativa e marrë nga një individ rezultoi më vonë me formimin e një kompanie që sot është qendër e trajnimeve të ndryshme ndërkombëtare.

Prezantimin e tij z.Gashi e vazhdoi me European Computer Driving Licence [ECDL] që është kuailifikim i pranuar ndërkombëtarisht, i cili u mundëson individëve të vërtetojnë dituritë e tyre në aftësitë dhe njohuritë kompjuterike, ku me këtë rast spjegohej rëndësia dhe roli i saj në shoqërinë kosovare.

Në radhë ishte prezantimi i Shoqatës për Teknologji dhe Informacion të Komunikimit të Kosovës STIKK. Në emër të STIKK të pranishmëve ju drejtua drejtoresha Vjollca Qavolli. Ajo me shumë modesti filloi prezantimin dhe spjegoi rreth rolit të STIKK-ut në Kosovë, ofrimit të mundësive për qasje të gjitha kompanive kosovare në rrjetën e ksaj shoqate si dhe sfidat dhe aktivitetet që duhet ndërmarrë për ngritjen e standardeve të TIK-ut në Kosovë.

Sabedin Meha, përfaqësues i kompanisë DataProgNet, prezantoi projektet e ndryshme të ksaj kompanie dhe vuri theksim të veçantë në E-Qeverisje, ku përfshihen zhvillimi dhe implementimi i gjitha faqeve zyrtare të Komunave të Kosovës, digjitalizimi i Gjendjes Civile, e shumë projekte tjera zyrtare, që e bëjnë këtë kompani të jetë lider në vendin tonë.

Shoqata për Softuer të Lirë dhe të Hapur e Kosovës (FLOSSK) gjithashtu ishte e pranishme në konferencë, dhe Arianit Dobroshi përfaqësues i saj bëri një prezantim gjatë të cilit shpjegoi se çfarë është FLOSS, pastaj tregoi rreth Linux, Wkipedia, OpenStreetMap, e shumë çka tjetër. Fokusimi i tij ishte roli dhe rëndësia e këtyre temave në zhvillimin e teknologjisë në Kosovë.

Konferenca që u mbajt për herë të parë këtë vit, pritet që të organizohet edhe vitin e ardhshëm dhe organizatorët kanë theksuar se do ta bëjnë këtë konferencë tradicionale që do të ketë si qëllim hartimin e një vizioni të përbashkët, i cili do të qonte deri në formimin e një rrjete, e cila do të përfshinë gjitha kompanitë kosovare që janë të ndërlidhura drejtpërdrejt me sektorin e teknologjisë, e që më vonë do të jetë një rrjetë shtytës për sektorin e teknologjisë në Kosovë.
 
Duhet theksuar se kompanitë që ishin krah të kësaj konference ishin Aleanet, Gashi Comp, Ogilvy, Dataprognet, FLOSSK, Shoqata STIKK, Apik (agjensioni për promovimin e investimeve), etj.

Përfundon me sukses TechDay 2010 – Ferizaj
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)