Nvidia prezantoi kartën e parë grafike me arkitekturën Pascal dhe superkompjuterin DGX-100

Publikuar më: 06-04-2016

P100-640x389Ka mbërritur karta e parë grafike e shumëpritur bazuar në arkitekturën Pascal të Nvidia. Edhe pse Tesla P100 i dedikohet profesionistëve dhe makinerive të inteligjencës artificiale, pritet që kjo arkitekturë të sjellë një performancë të tillë edhe për konsumatorët individualë.

Tesla P100 është grafika e parë e Nvidia bazuar në arkitekturën 16 nanometër dhe ndryshe nga AMD-ja, teknologjia e grafikave të kompanisë në fjalë kishte ngelur në arkitekturën 28 nanometër e cila daton nga 2012-ta.

Një nga risitë kyçe të kartës së re grafike padyshim është Gjenerata e Dytë e Memorjes me Bandwidth të Lartë, HBM2. Samsung filloi prohimin e kësaj memorje në muajin Janar dhe që të dy rivalët, Nvidia dhe AMD, nuk kishin plane për implementimin e saj këtë vit për shkak të kostos së lartë.

AMD i qëndroi premtimit dhe grafikat Polaris me shumë gjasa nuk do të përdorin HBM2. Po le të kthehemi tek specifikat e Tesla P100 e cila ofron një performancë 21.2 teraflops duke lënë shumë pas modelet e bazuara në arkitekturën Maxwell si Titan X dhe Tesla M40. Këto dy të fundit ofronin vetëm 7 teraflops performancë.

Bandwidth-i i memorjes gjithashtu është dyfishuar krahasuar me Titan X në plot 720GB/s kjo falë kanaleve më të gjëra të memorjes 4096 bit. Tesla P100 bart mbi 15.3 miliard tranzistorë ndërsa bërthama kanë një frekuencë 1328 Mhz.

Së bashku me grafikën e parë bazuar në arkitekturën Pascal, Nvidia prezantoi një kompjuter të inteligjencës artificiale quajtur DGX-100. Ky sistem karakterizohet nga tetë grafika Tesla GP100 me performancë totale prej 170 teraflops dhe 28,672 bërthama CUDA.

Përtej aspektit grafik, DGX-100 përmban dy proçesorë fizikë Intel Xeon E5-2689v3 me nga 16 bërthama dhe frekuencë bazë 2.4 Ghz. E gjitha kjo do të shoqërohet nga 512GB RAM DDR4, 4 SSD 1.92 TB dhe katër porta rrjeti InfiniBand EDR. Konsumi i energjisë nga ky konfigurim do të arrijë nivelet e 3,200 vatëve.

DGX-100 do të dalë në shitje në muajin Qershor me kosto prej 129,000 dollarësh. (PCWorld Albanian)

Nvidia prezantoi kartën e parë grafike me arkitekturën Pascal dhe superkompjuterin DGX-100
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)