Njihuni me Albanian Skills, konkursin prestigjoz në fushën e teknologjisë dhe fotografisë

Publikuar më: 14-05-2015

Untitled-2

Një profesionist teknologjie apo një fotograf mund të ketë shumë për të na ofruar. Duhet të pranojmë se konkurset në botën e teknologjisë nuk ndodhin aq shpesh në Shqipëri, por ata pak që zhvillohen mund të themi se janë tepër cilësore dhe nxjerrin në pah vlera të mëdha. I tillë është dhe konkursi Albanian Skills me moton ‘We promote skills’. Ky konkurs u krijua në sajë të një bashkpunimi shqiptaro-zvicerian dhe ka si qëllim promovimin e aftësive dhe jashtë vendit në sajë të konkurseve profesionale. Albanian Skill është pjesë e një rrjeti të gjerë konkursesh apo organizimesh mbarë botërore që njihen me emrin World Skills.

Ju njoftojmë se Albanian Skills do të zhvillojë tri konkurset e saj të para për vitin 2015 në datën 16 maj në ambjentet e qendrës tregtare TEG. E gjitha kjo po ndodh në kuadër të Javës së Inovacionit. Aplikantët do të konkurojnë në fushën e zhvillimit të uebfaqeve, grafikës dhe fotografisë. Në fakt aplikimet për të qënë pjesë e këtij konkursi kanë filluar që nga muaji Mars. Tanimë janë përzgjedhur 50 konkurentë nga mosha 16 deri në 26 vjeç që do të konkurojnë në fushat e mësipërme. Si pasojë do të shpallen tri fitues. Por e gjitha kjo nuk do të ngelet me një medalje të fituar. Fituesit më pas do të udhëtojnë në Zvicër për të marrë pjesë në konkurset pasardhëse të organizuara nga ICT Switzerland që do të zhvillohen atje duke përfaqësuar kështu Shqipërinë në nivel botëror. Ndërkohë që fotografi më i mirë do të udhëtojë në një shtet të Evropës për të pasur një shkëmbim përvoje nga afër me një fotograf profesionist fitues i një cmimi të tillë. Për të qënë sa më transparent në procesin e përzgjedhjes së fituesit në fushën e fotografisë, është duke u ndërtuar një platformë elektronike për votimin online nga publiku.

Untitled-1

Por cfarë është ajo që e bën kaq të vecantë këtë organizim? Në radhë të parë Albanian Skills është një organizim i pavarur, pa qëllime ekonomike dhe me kontribute falas. Ky konkurs është i udhëhequr nga njerëz me pasion që kanë dëshirë të jenë një mbështetje për të rinjtë shqiptar. Sigurisht që një konkurs i nivelit të tillë kërkon një staf profesionistësh. Stafi i Albanian Skills përbëhet nga profesionistë të kualifikuar shqiptarë dhe zvicerian në mes të cilësve kombinohet talenti, serioziteti, pasioni dhe profesioni. Qëllimi kryesor i këtij konkursi është përfaqësimi i Shqipërisë në eventet në rang botëror si është World Skills, për të cilin mund të mësoni më shumë se worldskills.com.

Ftojmë të gjithë ata të rinjë që duan të bëhen pjesë e një gare dhe njëkohësisht eksperience ngazëllyese që pa dyshim do ti hapë atyre shumë dyer të reja drejt suksesit. Përveç kësaj Albanian Skills është një mënyrë e mirë për të realizuar ato ide që nuk keni guxuar ti shfaqni. Çdo përpjekje e juaj do të vlerësohet dhe do të shpërblehet. Ndoshta mund të jeni ju fituesi. Albanian Skills është një event që ja vlen ta ndjekësh, nëqoftëse jeni një nxënës i dhënë pas teknologjisë apo fotografisë, një mësues i shkollave profesionale, një biznes që kërkoni staf të kualifikuar atëherë mos mungoni pasi ky konkurs ka shumë për t’ju ofruar. Konkursi do të zhvillohet në një formë tepër argëtuese ndaj dhe nëse jeni rastësisht në TEG afrohuni për të parë më tepër, nuk do të zhgënjeheni. Nëse doni të dini më shumë rreth Albanian Skills klikoni në albanianskills.org. (PC World Albanian)  

Njihuni me Albanian Skills, konkursin prestigjoz në fushën e teknologjisë dhe fotografisë
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)