Një vështrim i përgjithshëm mbi BlackBerry Leap. Çfarë e bën këtë smartfon të veçantë?

Publikuar më: 15-05-2015

leap1Smartfoni BlackBerry Leap është cilësuar si ai i përshtatshmi për ‘profesionistët e rinj’, një pjesë e të rinjve në të cilët kompania BlackBerry është fokusuar. Por ku qëndron e veçanta e këtij smartfoni? Ja vlen të përmendim se dy smartfonët e lançuar së fundmi nga BlackBerry, Classic dhe Passport janë të pajisur me tastjera fizike Qwerty. Kjo për faktin se ka akoma një numër të konsiderueshëm përdoruesish tradicionalë që preferojnë butonat se sa ekranet me prekje. Për t’ju përshtatur më shumë të rinjve, kompania ka vendosur të sjellë Leap, një smartfon i pajisur me një ekran me prekje 5-inç. Kompania shpreson që ky smartfon të përdoret nga të rinjtë ndaj dhe çmimi i tij prej 199$ është mëse i përballueshëm.

Hardueri

Ashtu siç janë pothuajse të gjitha pajisjet nën markën BlackBerry, dhe Leap të ofron një pamje serioze, një stil minimalist me një kasë ngjyrë gri të errët e cila nuk ka nevojë fare për ndonjë aksesor shtesë apo dekorim. Kasa e ndërtuar nga një material i ngjashëm me gominën mbron të dyja anët e ekranit ndaj dëmtimet si pasojë e rënieve priten të jenë të reduktuara.  Për shkak të harkimit në pjesët anësore të kasës, Leap ndjehet tepër i rehatshëm në dorë. Vendi ku insertohet karta SIM dhe karta e memories janë vendosur në pjesën anësore të majtë ndërsa butonat e volumit dhe kontrollit gjenden në të djathtën.Ndërkohë që butoni i fikjes apo i ndezjes është tepër i vogël dhe është i vendosur në pjesën e sipërme të smartfonit.

Ekrani me përmasa 5 inç, ka një rezolucion 720×1280 piksel dhe ofron një performancë dhe pamje të shkëlqyer. Kjo kryesisht bie në sy gjatë luajtjes së videove. Një ekran me përmasa të tilla në një smartfon BlackBerry është mëse i mirëpritur nga publiku apo fansat e BlackBerry. Pavarësisht mungesës së tastjerës fizike, mund të themi se dhe tastjera me prekje që ka ky smartfon ofron një eksperiencë goxha të mirë. Leap ka dy kamera; 8 dhe 2 megapiksel në të cilat është e disponueshme aftësia e njohjes apo identifikimit të fytyrës. Pavarësisht cilësisë, kamerat shfaqin vonesa në procesin e fokusimit.

Sipas BlackBerry, bateria do të ofrojë përdorim të smartfonit deri në 25 orë mesatarisht. Mund të themi se është tepër e thjeshtë të përcaktojmë ato pika në të cilët kompania është përpjekur të ulë kostot; Leap përdor proçesorin 1.5GHz Qualcomm MSM 8960, ka dy mikrofona në vend të tre që duhet të ishin dhe është i paiisur me më pak sensorë. Mund të themi se ndër këto tri pika të dobëta, ai që përbën më shumë problem është proçesori.

Softueri

Leap sigurisht që nuk mund mos të përdorte sistemin operativ të vet kompanisë; BlackBerry 10. Në sajë të karakteristikës Hub të këtij sistemi, pajisjet BlackBerry vazhdojnë të mbeten më të mirat përsa i përket ‘marrëdhënies’ që ato krijojnë me email-in, aksesimin e tij. Hub e bën më të thjeshtë gjetjen e mesazhit që jeni duke kërkuar apo fshirjen e atyre që s’doni ti keni më në postën tuaj. Lehtësia në aksesimin e email-it është një faktor i rëndësishëm për bizneset ndaj BlackBerry vazhdon të preferohet në këtë pjesë të tregut.

Por nëse lëmë mënjanë email-in, mund të themi se pjesa tjetër e softuerit është paksa zhgënjyese, sidomos kur bëhet fjalë për aplikacionet. Duke qënë se pajisjet BlackBerry zënë një pjesë të vogël të tregut, ekzistojnë shumë pak aplikacione të përshtatura për to. Përdoruesit e BlackBerry për të reduktuar këtë hendek, mund të zgjedhin të shkarkojnë aplikacione Android nga Amazon App Store, gjithsesi ato nuk janë të një cilësie të mirë. Kjo gjë mund të irritojë përdoruesit, por e kundërta do të ndodhë me vartësit e tyre të cilët janë të lumtur që punonjësit e tyre do të fokusohen tek puna dhe jo tek aplikacionet në smartfon.

Në kontrast me aplikacionet në Amazon App Store, ato të shkarkuara në dyqanin BlackBerry World Store ofrojnë një eksperiencë më të mirë. Në këtë dyqan mund të gjeni disa nga aplikacionet kryesore si LinkedIn, Maps, Docs to Go etj. Të njëjtën gjë mund të themi dhe për shfletuesin. Procesori bën një punë mesatare kur bëhet fjalë për kryerjen e detyrave kryesore, por ai shfaqet tepër i ngadaltë dhe ka raste dhe që bllokohet kur vjen puna tek hapja e aplikacioneve Android.

Përfundimi

Për tu treguar transparent; nëse ju përfundoni me një smartfon BlackBerry Leap në duart tuaja, 90% e mundësive ka të ngjarë që atë t’jua ketë dhënë vartësi juaj. Kjo ndodh sidomos nëse punoni në sektor qeveritar, financiar apo ndonjë tjetër ku siguria është primare. Deri më tani BlackBerry Leap ka tërhequr më së shumti vëmendjen e kompanive dhe pse fokusi ishin të rinjtë. Me një çmim prej 199$, Leap mund ta cilësojmë si një pajisje të nivelit mesatar të përballueshme. Ky smartfon do t’ju japë gjithcka që kërkoni nga një smartfon i fokusuar tek biznesi, kryesisht kur vjen puna tek aksesimi i email-it. Zgjedhja sigurisht që varet nga preferencat tuaja; A po kërkoni një smartfoni për të punuar apo një për të luajtur? Kjo e fundit vështirë të ndodhë në Leap ndaj rimendojeni. (PCWorld Albanian)

Një vështrim i përgjithshëm mbi BlackBerry Leap. Çfarë e bën këtë smartfon të veçantë?
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)