Një shtojcë e shfletuesit Chrome është e aftë të identifikoje dhe ruajë vendodhjen e përdoruesit

Publikuar më: 01-06-2015

cd560c82bac3017016b2155454752796405c7937

Është e pamundur të gjesh sadopak privatësi në një kohë kur teknologjia është pjesë e pothuajse cdo momenti të jetës tonë. Mos u ankoni nga aplikacionet të cilat mendoni se kanë cënuar privatësinë tuaj, akoma nuk keni parë ‘më të keqen’. Një vegël e re e krijuar nga një student i Cambridge është e aftë ‘të pushtojë’ dhe vendodhjen tuaj.

Bëhet fjalë për një shtojcë të ndërtuar për shfletuesin Chrome e emërtuar ‘Marauder’s Map’, e cila mbledh të dhënat përsa i përket vendodhjes së përdoruesit dhe bazuar në to ndërton një histori të lëvizjeve të tij. Funksionon kështu: nëse ju keni aktivizuar opsionin e vendodhjes në aplikacionin Messenger, vendodhja juaj do të regjistrohet. Kjo vegël merr pikërisht këto të dhëna nga JavaScript i Messenger dhe i shfaq ato në formën e pikave apo vijave në një hartë gjeografike. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse ju zgjidhni të bëni publike vendodhjen tuaj në Messenger. Rezulton se vendodhjet janë të përafërta dhe përcaktohen vetëm nga mesazhet e dërguara.

Tanimë ju mund të mësoni se ku ka qënë shoku juaj gjatë pushimeve të verës apo nëse dikush ju ka gënjyer për vendodhjen e tij. Por shërbimet që ruajnë dhe gjurmojnë lëvizjet e përdoruesve nuk janë një risi në ditët e sotme. Aplikacioni i trafikut Waze ka një politikë liberale përsa i përket marrjes së informacionit. Rritja e numrit të këtyre aplikacioneve është cilësuar si shqetësuese nga ekspertët e privatësisë. Por shumë prej përdoruesve nuk bien në kundërshtim me idenë e ruajtjes së vendodhjeve të tyre. Sipas një studimi të kryer, konsumatorët kanë qënë të gatshëm të japin një pjesë të informacionit të tyre në mënyrë që tu serviret një produkt apo shërbim i shënjestruar. Por a do të jenë ata dakort që ‘dikush’ të përgjojë vendodhjen e tyre? (PC World Albanian)

Një shtojcë e shfletuesit Chrome është e aftë të identifikoje dhe ruajë vendodhjen e përdoruesit
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)