Në 14 & 15 maj 2016 edicioni i tretë i Open Source Conference Albania

Publikuar më: 04-05-2016

oscalOrganizohet për të tretin vit rradhazi konferenca ndërkombëtare Open Source Conference Albania (OSCAL) dedikuar teknologjisë së lirë me burim të hapur (free open source), programeve të aksesueshme nga të gjithë, domeinit publik, si dhe kulturës dhe dijes së lirë.

OSCAL mbahet më datë 14 dhe 15 Maj 2016 në Universitetin Metropolitan të Tiranës dhe ndjek modelin e konferencave dy ditore me disa salla prezantimi (salla kryesore dhe salla paralele për punëtori/workshop) duke ofruar gjithashtu mundësi për stenda prezantimi të projekteve open source për të gjithë zhvilluesit e teknologjive me burim të hapur.

Organizatorët kanë planifikuar një axhendë të ngjeshur, ku prezantues nga 14 shtete të ndryshme do të mbajnë workshope dhe prezantime për të pranishmit. Konferenca fillon në orën 9.00 të shtunën, 9.30 të dielën dhe mbaron në 18.30 të dyja ditët (14 & 15 Maj).

Posters Web-02Edicioni i tretë i konferencës pritet të mbledhë më tepër se 400 entuziastë, zhvillues, agjenci, profesionistë të kulturës free open source, të cilët ndajnë idenë se programet kompjuterike duhet të ofrojnë liri tek përdoruesit dhe të jenë të hapura për komunitetin vendor dhe qeveritë për t’i zhvilluar, përshtatur sipas nevojave të tyre.

Slogani në këtë edicion do të jetë “Empowering the Commons”, ku do theksohet rëndësia e fuqizimit të burimeve publike të aksesueshme nga kushdo.
Aksesi në konferencë është falas, por regjistrimi në website oscal.openlabs.cc është i detyrueshëm.

OSCAL organizohet nga Open Labs Hackerspace, qendra e komunitetit shqiptar që promovon teknologjinë e lirë (në kuptimin e lirisë, jo çmimit) dhe kulturën e hapur që nga viti 2012. Open Labs Hackerspace është një organizatë jo-qeveritare, jo-fitimprurëse, e dedikuar për të promovuar lirinë, transparencën dhe aksesin e hapur duke e përforcuar zërin së bashku si një komunitet.

Në 14 & 15 maj 2016 edicioni i tretë i Open Source Conference Albania
1 vote, 5.00 avg. rating (92% score)