Modeli i përditësimeve të Windows Phone është kaq i dështuar saqë edhe Android-i ngjan me një sukses të vërtetë

Publikuar më: 23-03-2016

Lumia-950-XLEdhe njëherë tjetër Microsoft nuk e ka mbajtur premtimin e bërë ndaj përdoruesve të telefonëve Lumia. Nëse posedoni një Lumia 920 ose 1020, as mos tu shkojë nëpër mend një përditësim në Windows 10 Mobile edhe pse ishte premtuar më parë.

Dhe nuk është hera e parë që përdoruesit e kësaj linje telefonësh zhgënjehen nga Microsoft. Ata të cilët besuan në Windows Phone 7 kurrë nuk e panë Windows Phone 8-tën në telefonët e tyre.

Por le ta krahasojmë me Apple. Kompania po përgatitet të prezantojë iOS 9.3 për një mori paisjesh. Konkretisht kemi të bëjmë me iPhone 4S i cili debutoi në Tetor të 2011-tës dhe gjer tani është mbështetur nga plot pesë versione madhore të iOS.

Por iPad 2 i cili debutoi në Mars të 2011-tës dhe është mbështetur nga gjashtë version madhore të iOS që nga iOS 4.2.1. Kjo është një politikë e mirë drejt ndërtimit të një produkti dhe ekosistemi të suksesshëm.

Windows Phone ka vdekur. Dhe nuk e kuptojmë pse Microsoft pretendon se çdo gjë po shkon mirë kur në realitet kompania po prodhon vetëm zhgënjim. Në rastin e iOS edhe pse disa telefonë të vjetër nuk përfitojnë nga të gjitha avantazhet e sistemit operativ, të paktën janë të aktualizuar dhe të sigurtë, një pretekst ky i përdorur nga Microsoft me Windows 10 Mobile.

Kur blini një iPhone ose iPad nga Apple, ju po blini një produkt i cili do të jetë aktual për të paktën tre vitet e ardhshme dhe mbase edhe më shumë. Blini një Lumia ose Android dhe nuk keni siguri se telefoni do ja mbërrijë përditësimit të ardhshëm të platformës. Për Microsoft është akoma edhe më keq sepse nuk ka një bazë të lartë përdoruesish si prodhuesit Android.

E megjithatë përdoruesit Android kanë më shumë shans të marrin përditësime sesa përdoruesit e Windows Phone. Sigurisht që modeli i përditësimeve Android është një realitet tjetër i trishtë por konsumatorët të cilët blejnë telefonë nga Google përfitojnë një mbështetje po aq serioze sa ajo që ofron Apple për paisjet e saj. Konkretisht, Nexus 5 i cili u prezantua në Tetor të 2013-tës me Android KiKat 4.4 tani mbështetet edhe nga Android Marshmallow.

Edhe pse Android duket keq, Windows Phone ka vdekur. Pavarësisht milion dollarëve investim, Microsoft fundosi një platformë premtuese në vetëm pak vite. (PCWorld Albanian)

Modeli i përditësimeve të Windows Phone është kaq i dështuar saqë edhe Android-i ngjan me një sukses të vërtetë
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)