Microsoft sjell shtojcat në shfletuesin Edge me ndërtimin paraprak 14291

Publikuar më: 18-03-2016

464297-microsoft-edge-browserNjë nga funksionalitetet më të rëndësishme të shfletuesit të ri të Microsoft quajtur Edge është mbështetja për shtojcat e shkruara në HTML dhe Javascript. E filloi Google duke ndërtuar një API për të tilla shtojca për tu adoptuar mëpas edhe nga Firefox.

Microsoft përpara debutimit të Windows 10-tës premtoi të njëjtën gjë, adoptimin e API-së në fjalë për Edge. Kjo pritej të realizohej në Nëntor por ja që nuk ndodhi. Edhe pse gjigandi i sistemit operativ publikoi disa përditësime përtej axhendës së nëntorit, ky funksionalitet nuk po vinte gjersa mbërriti ndërtimi 14291 i cili përmban këtë mbështetje.

Edhe pse momentalisht instalimi i shtojcave është një proçedurë goxha komplekse dhe eksperiencë për të mos u përjetuar, kur të finalizohet për të gjithë përdoruesit, dyqani i aplikacioneve do të shërbejë edhe si dyqan shtojcash njëkohësisht.

maps-composite-640x323

Padyshim mbështetja për shtojcat është përparimi më i bujshëm i shfletuesit të Microsoft që nga zyrtarizimi. Por ndërtimi paraprak 14291 nuk përfundon me kaq sepse shfletuesi Edge është përmirësuar me disa funksione të reja siç është opsioni “Paste and Go” i lidhje në fushën e adresave dhe tkurrja e “tab-eve” në rastin kur janë të hapura disa prej tyre për të lejuar më shumë hapësirë.

Madje edhe aplikacioni i hartave mori një përditësim madhor. Edhe ky aplikacioni tani përmban “tab-e” si një shfletues i zakonshëm duke krijuar mundësi për kërkime të shumëfishta informacioni.

Ndërtimi i ri paraprak përmban përmirësime të shkrimit të tekstit në gjuhën japoneze, aplikacione të ridizenjuara të Alarmit dhe Orës dhe disa modifikime në sistemin e raportit të gabimeve me anë të aplikacionit “Feedback”. Dhe më e rëndësishmja, ndërtimi 14291 zgjidh problemet e stabilitetit në Surface Pro 3 dhe 4. (PCWorld Albanian)

Microsoft sjell shtojcat në shfletuesin Edge me ndërtimin paraprak 14291
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)