Microsoft shënjestron profesionistët e IT-së me shërbimin e ri Windows Update for Business

Publikuar më: 05-05-2015

windows_product_family_9-30-event-741x416

Microsoft po vijon me zbulimin e risive që do të sjellë versioni final i Windows 10. Strategjia është e qartë: Windows do të jetë shumë më tepër sesa një sistem operativ, do të jetë një shërbim.

Kompania sapo u ka zbuluar profesionistëve të IT-së një koncept të ri të quajtur “Windows Update for Business”. Kjo do të jetë një risi në mekanizmin e shërbimit të përditësimeve. Më saktësisht ky model i ri do të sjellë më shumë kontroll mbi proçesin e përditësimeve në Windows 10, një aspekt ky mjaft i rëndësishëm për profesionistët IT.

Realisht shpresat e Microsoft për të përmbushur qëllimin e 1 miliard kompjuterave me Windows 10 deri në 2018, janë tek këto profesionistë. Në të vërtetë, gjigandi amerikan i softuerit kishte zbuluar edhe më parë planet për përditësime të cilat do të ishin të disponueshme në mënyra të ndryshme bazuar tek nevojat e konsumatorit. Dhe Microsoft sapo i ka detajuar këto “mënyra”.

Ato konsumatorë të zakonshëm që do të kalojnë në Windows 10 do të përfitojnë të gjitha risitë që sjell platforma përfshi këtu edhe përditësimet e sigurisë përmes Windows Update. Këto konsumatorë të zakonshëm nuk do të kenë mundësi zgjedhjeje se cilat përditësime duan të instalojnë ose jo. Ky grup konsumatorësh janë përdoruesit aktualë të Windows sepse nuk ka ekzistuar ndonjë diferencim më parë në këtë drejtim.

Por, konsumatorët e Windows 10 për Sipërmarrjet do të kenë mundësi zgjedhje për të instaluar vetëm përditësimet e sigurisë por jo veçori të reja, e gjitha kjo në kuadër të mbështetjes afatgjatë që do të ofrojë Windows 10. Këto sipërmarrje do të kenë mundësi të përcaktojnë çfarë përditësimesh do të instalojnë kompjuterat e punojësve të tyre.

Ekziston edhe një grup i tretë konsumatorësh të Windows 10. Janë ata përdoruesit të cilët nuk praktikojnë “eksperimente” me aplikacione dhe paisje. Këto konsumatorë do të marrin veçoritë e reja të Windows 10, përditësimet e sigurisë dhe të tjera rregullime në Windows 10 falas por në një ritëm më të maturuar. Këto përdorues do të marrin këto përditësime përmes modelit të ri Windows Update for Business.

Dhe pikërisht këtu qëndron edhe rëndësia e gjithë kësaj për profesionistët e IT-së të cilët do të mund të ushtrojnë më shumë kontroll për mënyren e përditësimit të Windows 10. Me Windows Update for Bussines, profesionistët e IT-së do të përcaktojnë se cilët kompjuterat do të marrin të parët përditësimet dhe cilët më vonë. Ky shërbim do të jetë falas për abonimet në Windows 10 Pro dhe Enterprise.

Microsoft nuk zbuloi se përsa kohë do të vijojnë këto përditësime si pjesë e mbështetjes afatgjatë që do të ofrojë Windows 10 por mendohet që 5 vitet e para do të ofrojnë përditësime të sigurisë dhe mbështetje teknike ndërsa 5 vitet e dyta do të ofrojnë vetëm përditësime të sigurisë. Praktikisht do na duhet të presim ca muaj që të kemi një shembull të qartë sesi do të funksionojë e gjitha kjo. Por një gjë është e sigurtë: Microsoft po përpiqet të diferencojë vetvehten nga Google me strategjinë e re të përditësimeve në Windows 10. (PCWorld Albanian)

Microsoft shënjestron profesionistët e IT-së me shërbimin e ri Windows Update for Business
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)