Microsoft ndalon publikimin e aplikacioneve për Windows Phone

Publikuar më: 16-08-2012
Microsoft ndalon publikimin e aplikacioneve për Windows Phone

Microsoft-it iu desh të ndalte publikimin e aplikacioneve në tregun Windows Phone Marketplace, për shkak të një problemi me certifikatën dixhitale.

Problemi ndodhi gjatë lëshimit të qendrës së re Windows Phone Dev Center, një qendër kjo për veglat e zhvilluesve.

Siç duket, problemi me certifikatat dixhitale ndaloi instalimin e aplikacioneve të publikuara së fundmi tek disa telefona.

Shefi i tregut Todd Brix e përshkroi problemin si një “lemzë” që kishte të bënte me infrastrukturën e dyqanit.

“Ne e kemi identifikuar tashmë problemin, jemi duke punuar për ta zgjidhur dhe për të rikthyer certifikimin dhe publikimin e aplikacioneve sa më shpejt të jetë e mundur,” tha Brix në një postim në blog.

Problemi duket të ketë prekur vetëm pajisjet që janë përditësuar në Windows Phone 7.5 dhe jo ato që e kanë pasur të instaluar këtë version të sistemit operativ.

“Ne vlerësojmë se ky problem prek një përqindje të vogël të mbi 100,000 aplikacione në Marketplace,” shkroi Mazhar Mohammed i ndërmarrjes Microsoft në një postim në blog gjatë ditës së martë.

“Midis atyre më të njohura që janë prekur janë New York Times, WhatsApp dhe Translator nga Bing – të gjitha kanë paraqitur përditësime të reja.” (PC World Albanian)

Microsoft ndalon publikimin e aplikacioneve për Windows Phone
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)