Microsoft ka filluar punën për Surface-n e ri

Publikuar më: 13-08-2012
Microsoft ka filluar punën për Surface-n e ri

Tableti Microsoft Surface edhe pse nuk ka dalë ende në treg, mesa duket gjigandi i softuerëve ka filluar të punojë për versionin e tij të ri.

Në faqen zyrtare të kompanisë kanë filluar kërkimet për fuqi punëtore dhe thuhet se po planifikojnë të bëjnë zgjerimin e linjës së tabletëve.

Midis tipeve të shumëta të punëve ( në 13 pozicione që lidhen drejtpërdrejt me ‘skuadrën e Surface’) kërkohen inxhinierë të rinj softuerikë, inxhinierë për pjesët e tabletit, inxhinierë elektrikë dhe mekanikë – pozicione këto që nuk do t’i nevojiteshin Microsoft-it nëse planifikonte vetëm ndonjë përditësim për harduerin dhe softuerin.

Të gjitha njoftimet për punë fillojnë pak a shumë me të njëjtat fjalë:

E keni pasion ndërtimin e pajisjeve tërheqëse dhe teknologjive interesante? Skuadra e Surface përqëndrohet tek rritja e Microsoft-it në fushën e tabletëve. Një nga strategjitë tona themelore është krijimi i pajisjeve të pëlqyeshme dhe të fuqishme, në mënyrë që t’u mundësojnë njerëzve realizimin e kërkesave të tyre por njëkohësisht edhe të ngacmojnë kureshtjen e tyre.

Krijimi i këtyre pajisjeve kërkon bashkëpunim të ngushtë mes inxhinierëve harduerikë, softuerikë, dizajnerëve dhe prodhuesve. Në jemi duke ndërtuar gjeneratën tjetër dhe Surface ka nevojë për ju!

Pikërisht, në fjalinë e fundit vihet re se Microsoft po punon për gjeneratën e re të Surface, që mund të quhet Surface 2. Deri më tani kompania nuk ka dashur të bejë asnjë koment mbi këtë postim.

Mesa duket kanë filluar të marrin bazë dyshimet e Acer për faktin se Microsoft do të fillonte të konkurronte plotësisht me kompanitë harduere, të paktën në tregun e tabletëve.

Sigurisht, Surface mbetet ende për ta treguar veten tek konsumatorët dhe duhet theksuar se konkurrenca në këtë fushë është vërtet e fortë. Po hyn në një treg ku ka një udhëheqës, iPad-i, si dhe mjaft pajisje të tjera jo të shtrenjta që punojnë me Android.

Çmimi do të jetë një faktor tepër vendimtar në rrugën e suksesit të Microsoft Surface. (PCWorld Albanian)

Microsoft ka filluar punën për Surface-n e ri
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)