Microsoft braktis Internet Explorer 8, 9 dhe 10 së bashku me Windows 8

Publikuar më: 12-01-2016

ie_to_edge-930x488Ashtu siç ju kishim lajmëruar më parë, ditën e sotme Microsoft i dha fund mbështetjes për Internet Explorer 8, 9 dhe 10 me disa përjashtime. Por çudia e vërtetë qëndron tek lajmërimi për përfundimin e mbështetjes për Windows 8-tën pas 3 vitesh nga debutimi zyrtar.

Bëhet fjalë vetëm për Windows 8, sistemin operativ të parë Windows pa butonin Start, sepse Windows 8.1 do të vijojë të mbështetet. Kjo do të thotë se Windows 8 i bashkohet Windows XP-së ku nuk do të ketë asnjë përditësim sigurie, asnjë rregullim dështimesh , absolutisht asgjë.

Por përdoruesit e Windows 8 për ti shpëtuar këtij makthi do të kenë mundësi të kalojnë në Windows 8.1 falas siç ka qenë gjithmonë. Sistemet operativ që do të ndjekin fatin e Windows 8-tës janë: Windows Vista në 2017-tën, Windows 7 në 2020 dhe Windows 8.1 në 2023.

windows_end_of_support_2016

Internet Explorer

Planet e Microsoft nuk përfundojnë vetëm me Windows 8-tën por edhe version 8, 9 dhe 10 të Internet Explorer. Përjashtohet nga ndryshimet e reja përdoruesit Internet Explorer 9 në Windows Vista dhe Internet Explorer 10 në Server 2008.

Me pak fjalë sistemet e kombinuara të cilët do të vijojnë të kenë vëmendjen e Microsoft me përditësime të vazhdueshme edhe për disa vite në vijim janë: Internet Explorer 9 në Vista dhe Server 2008, Internet Explorer 10 në Windows Server 2012 , Internet Explorer 11 në Windows 7 Sp1, Windows Server 2008 R2 Sp1, Windows 8.1 dhe Windows Server 2012 R2.

Që nga dita e sotme, që i bie të jetë e marta e përditësimeve, përdoruesit e versioneve të vjetra të Internet Explorer në Windows 7 do të paralajmërohen për të kaluar në Internet Explorer 11.

Dy versionet e fundit të sistemit operativ, Windows 8.1 dhe Windows 10 kanë të instaluar Internet Explorer 11 prandaj nuk do të preken nga ndryshimet. Madje ata që zgjedhin të largohen nga Windows 7 dhe 8.1 do të gjejnë edhe shfletuesin e ri Microsoft Edge. (PCWorld Albanian)

Microsoft braktis Internet Explorer 8, 9 dhe 10 së bashku me Windows 8
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)