Liria e Internetit: Islanda e para, Kina e fundit citon raporti i Freedom House

Publikuar më: 01-11-2015

UntitledFreedom House ka publikuar raportin 5-të të lirisë së internetit në 65 vende të globit. Hulumtimi hedh dritë mbi lirinë e shprehjes në internet dhe përpilohet nga Freedom House që nga 2011-ta.

Kina është vendi me lirinë më të kufizuar në internet citon raporti. Autoritetet e këtij vendi mund të dërgojnë prapa hekurave për 6-8 vjet çdo individ i cili shpërndan informacion të rremë dhe anti qeveritar online sipas një ligji të miratuar ditët e fundit.

Irani dhe Siria ndjekin Kinën në kryesimin e listës së vendeve me lirinë më të kufizuar të internetit. Dhjetëshen e këtyre vendeve e plotësojnë: Etiopia, Kuba, Uzbekistani, Vietnami, Arabia Saudite, Bahreini dhe Pakistani.

Islanda është vendi me lirinë më pak të kufizuar të internetit në planet. Vendi ishullor ndiqet nga Estonia e famshme e votimit elektronik. Treshen e vendeve me lirinë më pak të kufizuar të internetit e mbyll Kanadaja.Untitled

Në dhjetëshen e parë të vendeve me liri më pak të kufizuar janë edhe: Gjermania, SHBA-ja, Australia, Japonia, Italia, Britania dhe Hungaria. Shqipëria nuk është pjesë e këtij raporti.

Freedom House gjithashtu citoi disa fakte interesante të zbuluara nga hulumtimi. U zbulua se kërkesat për fshirje të përmbajtjeve ishin shtuar. Autoritetet e 42 nga 65 shtete pjesë të raportit u kanë kërkuar kompanive private ose individëve të largojnë përmbajtje online me tematika rreth politikës, religjonit apo problemeve sociale.

Arrestimet si rezultat i kufizimit të lirisë së shprehjes në internet u shtuan. Autoritetet e 40 shteteve pjesë e raportit kanë dërguar prapa hekurave individë të cilët kanë shpërndarë informacion kërcënues ndaj klasës politike, klerit dhe shoqërisë.

Gjithashtu edhe agjensitë e mbikëqyrjes janë shumëfishuar. Plot 14 qeveri kanë miratuar ligje të cilat rrisin mbikëqyrjen ndaj qytetarëve dhe agjensive.

Sipas Freedom House disa qeveri vendesh kanë kundërshtuar fuqishëm teknologjinë e ekriptimit duke e demonizuar si një instrument i terroristëve. Këto qeveri kanë ndërmarrë çdo hap ligjor për të përjashtuar çdo lloj iniciative të këtillë që mbron privatësinë e përdoruesve online. (PCWorld Albanian)

Liria e Internetit: Islanda e para, Kina e fundit citon raporti i Freedom House
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)