Lamtumirë AMC, mirëseerdhe T-Mobile! Operatori mobil shqiptar me një markë të re

Publikuar më: 20-07-2015

amc-t-mobileMbase e keni parë që të gjithë atë reklamën televizive të AMC kur thuhet se me 23 korrik diçka po vjen. Kjo gjëja që po vjen do të jetë një markë e re për AMC-në.

Operatori AMC në pronësi të telekomit grek OTE do të ndryshojë markën çka do të rezultojë edhe në ndryshimin e imazheve që nga etiketa e kompanisë në celularin tuaj gjer tek dyqanet me pamjen e re. Marka e re e AMC do të jetë “T-Mobile”. Po pse ky ribrandim?

Le ta qartësojmë për ju. OTE zotëron 97 % të aksioneve të AMC (Albania Mobile Communication). Nga ana tjetër 40 % e aksioneve të OTE zotërohen nga Deutsche Telekom duke e bërë aksionerin më të madhe në këtë kompani. Mund të themi se ky ribrandim në fakt duket goxha i vonuar se Deustche Telekom zotëron 40 % të aksioneve të OTE që nga 2011-ta.

Sipas njoftimit publikuar në uebfaqen e operatorit, ribrandimi do të sjellë ndryshime të logos, ndryshime në emrin e kompanisë dhe rimodelimin e dyqaneve. Por ajo që bie në sy është përmendja e produkteve të reja inovative dhe shumë surpriza. Po sipas AMC përfitimet që do të vinë pas ribrendimit do të jenë të mëdha.

Sa i përket grupit të Deustche Telekom, kompania ka në pronësi edhe telekomin Maqedonas dikur Makedonski Telekom ndërsa sot T-Mobile dhe T-Home. Në Malin e Zi telekomi i këtij vendi gjithashtu është shndërruar nga Crnogorski TelekomT-Mobile dhe T-Home. Ishte Telekomi Kroat po në pronësi të Deutsche Telekom që pothuajse bleu operatorin mobil kosovar Vala dhe telekomin vendas PTK.

Sa për situatën e tregut në Shqipëri, marka T do të kufizohet për momentin vetëm në T-Mobile. Nëse në një të ardhme kompania arrin të ofrojë shërbimet fikse në vend së shpejti do të shohim edhe T-Home ngjashëm me fqinjët e Maqedonisë dhe Malit të Zi. Një gjë është e sigurte, përveçse në SHBA, grupi i Deutche Telekom kudo që ka shërbime mobile në të ardhmen e afërt ka ofruar edhe shërbime fikse. Dhe si për të ngjallur kuriozitetin tuaj, pak muaj më parë u hapën fjalë se Telekomi Gjerman donte të blinte ALBtelecom. Nisur nga ajo shprehja ku ka fjalë nuk është pa gjë, mund të themi se që tani T- është në gjueti për ofrimin e shërbimeve fikse në Shqipëri. Sesi do të arrihet kjo vetëm koha do ta zbulojë. (PCWorld Albanian)

Lamtumirë AMC, mirëseerdhe T-Mobile! Operatori mobil shqiptar me një markë të re
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)