Kompania finlandeze Jolla hedh në treg tabletin me sistem operativ Sailfish 2.0

Publikuar më: 22-08-2015

jolla-tabletProdhuesi finlandez i harduerëve ka filluar të bëjë porositë e para për tabletin Jolla. Kompania e drejtuar nga themeluesit e Nokia, e prezantoi këtë tablet vitin që kaloi dhe pas një fushate të suksesshme financimi ka vendosur ta sjellë atë në treg. Ky tablet vjen në dy versione; versioni 32GB i cili kushton 267 dollar dhe versioni 64GB i cili kushton 297 dollar. Dërgesat do të fillojnë në muajin Shtator drejt shteteve të Europës, Shtetet e Bashkuara, Kanadasë, Australisë dhe Indisë.

Përsa i përket harduerit, ju tregojmë se ky tablet ka një ekran 7.85 inç dhe furnizohet nga një proçesor 1.8GHz Intel Bay Trail. Në pjesën e pasme është vendosur një kamera 5 megapiksel ndërkohë që kamera frontale është 2 megapiksel. Sistemi operativ është platforma e ndërtuar nga vetë kompania, Sailfish 2.0. Ky sistem operativ është përdorur dhe në smartfonin e lançuar nga Jolla në vitin 2013.

Për hir të organizimit dhe efektivitetit, kompania lajmëroi në muajin Korrik se do të ndante departamentin e saj të harduerëve nga ai i softuerëve. Në këtë mënyrë do të pasurojë ekosistemin e saj të sistemit operativ Sailfish. Në vitin 2012 kompania krijoi Sailfish Alliance, një grup kompanish të cilat do të kontribojnë duke investuar në platformë. Ndërkohë muajin që kaloi Jolla lidhi një marrëveshje me prodhuesin Indian të telefonëve Intex për përdorimin e sistemit operativ Sailfish. (PC World Albanian)

Kompania finlandeze Jolla hedh në treg tabletin me sistem operativ Sailfish 2.0
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)