jCoders hap aplikimet në Akademinë Verore për fëmijët e moshave 8-15 vjeç

Publikuar më: 23-06-2016

13458624_979374618846935_5358122043019010621_oData 11 Korrik heq siparin e Akademisë Verore me një kohëzgjatje 3 javore në fokus të së cilës janë fëmijët e moshave 8 deri në 15 vjeç. Organizuar nga jCoders, fëmijët do të kenë mundësi të mësojnë më në detaje rreth fushës së shkencave komputerike në mënyrë që të adaptohen me trendet më të fundit teknologjike në të gjithë botën.

jCoders është themeluar në 2015-tën nga njëra prej finalisteve të edicionit të këtij viti në konkursin mbarëkombëtar Albanian ICT Awards, Arta Shehu Zaimi, dhe ka në fokus arsimin e orientuar nga teknologjia. Ishte 2 Nëntor 2015 që shënoi orën e parë të jCoders me 14 fëmijë plot pasion për programimin ndërsa pesë muaj më vonë jCoders kishte 164 fëmijë, 6 trajner dhe tre hapësira punuese.

jCoders është shkurtesë për Junior Coders. Vizioni jonë është që të mundësojmë mësimin e krijimit në teknologji për brezat e rinj me shpresë që do të nxisim inovacionin në të ardhmen si dhe të rrisim kualitetin e profesionistëve në këtë fushë,” shprehej Arta për Redaksinë ICTSmedia.

Me një program unik të trajnimit për zhvilluesit e gjeneratës së ardhshme pas trajnimit nxënësit do të transformohen nga shfrytëzues të teknologjisë në krijues të teknologjisë.

Kurikula e jCoders është e ndarë në tri module me qellim që të ofrohet një eksperiencë krijuese më e pasur. Moduli Fundamental është moduli i parë i cili u mëson femijëve konceptet baze të programimit dhe gjuhën Scratch, Moduli Robo është moduli i dytë i cili gërsheton programimin me elektronikën dhe Moduli mobile është moduli i tretë dhe fokusohet në paisje telefonike dhe programim për paisje mobile si tablet, smartphone etj.

“Sipas statistikave të shoqatave më të mëdha botërore të punësimit, profesionet më të kërkuara dhe më të paguara sot dhe në të ardhmen përfshijnë edhe profesionet në teknologji informative. jCoders Academy përdor gjuhë programuese dhe kurikul e cila është e dizajnuar për fëmijët për të mesuar programimin duke rikrijuar lojërat të cilat i kanë qejf, ose duke programuar ndonjë lojë ose aplikacion i cili mund të jetë imagjinuar nga ata.”

13428587_401049150065716_7606727912055653057_nPër çdo 8 fëmijë, jCoders ofron një trajner që është profesionist i fushës dhe me eksperiencë në edukim dhe programim çka ka rezultuar në një cilësi të lartë mësimnxënieje.

Akademia Verore do të mbahet tre herë në javë, të Marten, të Enjten dhe të Premten përgjatë dy fazave që fillojnë në datat 11 Korrik dhe 1 Gusht në ora 10:00, 13:30 ose 17:30 me sesione që do të zgjasin ma nga 2 orë e gjysëm.

Në lidhje me këtë të fundit Arta tha se “Akademia Verore ështe ideuar duke pas parasysh dëshirën e fëmijëve për një verë më relaksuese andaj intensitetin e akademise verore e kemi përcaktuar të jetë 3 ditë në javë për 3 javë. Temat e akademisë së sivjetshme janë: Anatomia e kompjuterit, 3D printimi dhe modelimi dhe Ueb Dizajni.”

Për të gjithë ata prindër që duan të regjistrojnë fëmijët e tyre në Akademinë Verore, një formular aplikimi është i disponueshëm online. Trajnimi 3 javor do të kushtojë 70 Euro.

Lidhur me projektet e jCoders në një të ardhme të afërt, Arta zbuloi për Redaksinë bashkëpunimin më të fundit me Protik Innovation Centre dhe kurikula tashmë prezente në Prishtinë do të mbërrijë edhe në Tiranë që nga Shtatori i këtij viti.

“E shfrytëzoj rastin tu bëj thirje të gjithë të interesuarve të cilët dëshirojnë ti japin fëmijës së tyre përvojën e krijimit në teknologji informative dhe mësimin e programimit të kontaktojnë në jCoders ose Protik,” tha Arta Shehu Zaimi. (PCWorld Albanian)

jCoders hap aplikimet në Akademinë Verore për fëmijët e moshave 8-15 vjeç
1 vote, 5.00 avg. rating (92% score)