Ja cilat azhornime duhet t’i bëni rregullisht

Publikuar më: 30-07-2012

Sipas një studimi të fundit, rreth 40% e njerëzve nuk i kryejnë azhurnimet kur ju shfaqen mesazhet për t’i bërë ato si dhe 25% e tyre nuk e kuptojnë as përse janë të nevojshme.

Azhurnimet e softuerëve kryhen për tre arsye kryesore:

Për të eliminuar dobësitë e programit.

Për të riparuar gabimet.

Për të shtuar opsione të reja.

Duhet të kihet parasysh se azhurnimi i një programi është një nga gjërat më të rëndësishme që duhen bërë herë pas here. Kjo për arsyen se hakerët përpiqen gjatë gjithë kohës të gjejnë dobësi të sistemeve dhe t’i përdorin ato në dëmin tonë, duke ju qasur skedarëve tanë, duke gjurmuar veprimet tona në kompjuter e deri tek marrja e plotë e kontrollit të kompjuterit. Qëllimi kryesor i azhurnimeve është që të na mbrojnë.

Si të kontrollojmë për azhurnime?

Pjesa më e madhe e softuerëve e bëjnë automatikisht këtë proces. Idetë e reja kanë shkuar deri atje ku ne mund ta programojmë vetë sistemin operativ (Windows 8) për ta ndezur kompjuterin natën e për të kontrolluar për azhurnime. Poashtu, OS X Mountain Lion i Apple azhurnohet duke reduktuar sasinë e energjisë elektrike të nevojshme (vendoset në modulin ‘low power mode’).

Cilat programe kanë më tepër nevojë për azhurnime?

Edhe pse të gjitha programet kanë nevojë të padiskutueshme për azhurnime, këto 6 duhet të jenë gjithmonë në qendër të vëmendjes:

Sistemi shfrytëzues, pasi ai kontrollon gjithçka në kompjuterin tuaj dhe ofron më tepër pika të dobëta për t’u zbuluar nga sa mund të gjejnë psh. Apple apo Microsoft vetë. Azhurnimet duhet të bëhen menjëherë sapo të shihen mesazhet njoftuese, ose në të kundërt të lejohen që të bëhen automatikisht.

Shfletuesit e Uebit, për të qënë të sigurt ndërsa navigoni në internet. Disa prej tyre, si Safari apo Internet Explorer azhurnohen automatikisht me sistemin operativ. Të tjerat si Google Chrome apo Mozilla Firefox i marrin ato automatikisht, kështuqë nuk ka nevojë të kontrollohen herë pas here nga përdoruesi.

Softuerët e produktivitetit, si psh. MS Office apo Adobe Creative Suite, për të përmirësuar sigurinë dhe për të eliminuar bllokimet apo mosfunksionimet.

Antivirusët dhe antimaluerët, meqënëse çdo ditë shfaqen viruse të reja. Patjetër ato duhen programuar që të azhurnohen vetë automatikisht, të paktën njëherë në ditë.

Softuerët mbështetës, si Adobe Flash apo Reader, Java, MS Silverlight etj. të cilët luajnë një rol mbështetës për shumë aplikacione dhe tipe skedarësh. Duke qenë shumë të përdorur janë tepër të ekspozuar ndaj hakerëve.

Firmware-t dhe drajverët. Të parat i tregojnë harduerit se çfarë mund të bëjë ndërsa të dytat lejojnë softuerët t’i qasen harduerit. Azhurnimet e firmware-ve zgjerojnë kapacitetin e gjërave që mund të bëjë një harduer, ndërsa azhurnimet e drajverëve rregullojnë mosfunksionimet apo probleme si dhe zgjerojnë karakteristikat. (PCWorld Albanian)

Ja cilat azhornime duhet t’i bëni rregullisht
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)