iOS 10.0.1 nxjerr jashtë funksioni aplikacionin e parashikimit të motit në Kosovë

Publikuar më: 21-09-2016

Ndërsa ky mund të jetë viti me më pak probleme për një version të ri madhor të platformës mobile të Apple, iOS 10, për qytetarët Kosovarë nuk është i tillë.

Edhe pse Kosova ishte ndër destinacionet e para të iPhone 7 duke lënë pas Shqipërinë dhe shumë vende të rajonit, pranë PCWorld Albanian kanë mbërritur raportime se aplikacioni i Parashkimit të Motit(Weather) nuk funksionon pas përditësimit iOS 10.0.1.

Ky problem është prezent si në rrjetin Wi-Fi ashtu edhe në rrjetet celulare të operatorëve Vala dhe IPKO. Kemi provuar të vendosim manualisht vendodhjen por përsëri pa rezultat. Përpara përditësimit në fjalë çdo gjë shkonte për mrekulli në iOS 9.

Në momentin kur qaseni në aplikacionin Weather, pjesë integrale e platformës së Apple, do të ballafaqoheni me një ndërfaqe boshe si në fotot e paraqitura.

Kemi kontaktuar llogarinë e mbështetjes së Apple në Twitter për një përgjigje lidhur me ngjarjen. Artikullin do e përditësojmë sapo të kemi një informacion zyrtar nga kompania. (PCWorld Albanian)

iOS 10.0.1 nxjerr jashtë funksioni aplikacionin e parashikimit të motit në Kosovë
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)