Instagram do të rekomandojë histori nga llogari që nuk i ndiqni në seksionin e eksplorimit

Publikuar më: 30-08-2016

explore-instagram-stories

Instagram doli haptaz kundër Snapchat në momentin që mori historitë nga ky i fundit për ti bërë pjesë të rrjetit social të fotografive. Tani Instagram po përpiqet ta kalojë këtë veçori në një nivel tjetër duke marrë mësime nga alegoritmi i fuqishëm i Facebook.

Duke filluar nga dita e sotme Instagram do të ofrojë për përdoruesit sugjerime të historive nga llogari që nuk i ndiqni në krye të seksionit “Explore”, raportoi TechCrunch. Duke u bazuar në llogaritë që ndiqni dhe temat që ju interesojnë më së shumti, Instagram beson se ka zgjidhjen e duhur për ta bërë risinë e Snapchat më joshëse në rrjetin social të fotografive.

Sugjerimet që do të shfaqen krahas seksionit Explore, do të kenë popullaritet të lartë shpreson Instagram. Sipas këtij të fundit më shumë se 100 milion njerëz e vizitojnë çdo ditë, një shifër e cila përbën 1/5 e numrit total të përdoruesve në ditë.

“Për disa është arsyeja kryesore e përdorimit të Instagram, për disa të tjerë është shkretëtirë,” u shpreh Drejtori i Menaxhimit të Produktit Blake Barnes në lidhje me seksionin Explore.

Në fillimet e veta ky seksion emërtohej “Popular”, ku përdoruesit mund të gjenin disa prej postimeve më të pëlqyera dhe të komentuara në Instagram. Megjithatë krahasuar me Snapchat, historitë në Instagram kanë shumë për tu përmirësuar.

Ngarkimet nuk kryhen në formën e duhur, mungon teksti shumëngjyrësh dhe lentet për fotot selfie. Megjithatë më i rëndësishëm është lehtësia e përdorimit dhe konsumit të përmbajtjeve që më së shumti u interesojnë përdoruesve.

Gjithashtu aplikacioni Instagram në Android po përditësohet me disa funksionalitete të reja dedikuar kryesisht historive. Përdoruesit do të kenë mundësi të kalojnë nga kamera frontale në atë të pasme dhe anasjelltas gjatë regjistrimit të një videoje ndërkaq kjo mund të realizohet thjeshtë duke klikuar dyherë mbi ekran.

Nëse klikoni dhe mbani gishtin mbi foton e profilit të një personi që ndiqni direkt nga furnizuesi i përmbajtjeve do të anuloni shfaqjen e historive të tij në shiritin e historive. Në të vërtetë historitë e tij do të zhvendosen në fund dhe nuk do të luhen automatikisht.

Së fundi, ky përditësim sjell rregullime gabimesh dhe një sërë permirësimesh në sfond drejt ofrimit të një eksperience më të mirë të historive të Instagram. (PCWorld Albanian)

Instagram do të rekomandojë histori nga llogari që nuk i ndiqni në seksionin e eksplorimit
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)