Intervistë me Kryetarin e ARKEP, Kreshnik Gashi: Kodi telefonik shtetëror i Kosovës garanton konkurrencë në nivel të shërbimeve

Publikuar më: 17-10-2016

foto-kgashiSfidat dhe peripecitë e tregut të komunikimeve elektronike në një shtet pa një kod telefonik shtetëror – Intervistë me Kryetarin e ARKEP, Kreshnik Gashi

Prej kohësh kodi telefonik i Kosovës ka qenë në qendër të debateve dhe diskutimeve mes Prishtinës dhe Beogradit jehona të cilit trokiti në dyert e Brukselit. Që nga shpallja e pavarësisë e gjer më sot Kosova ende nuk ka arritur të ketë kodin e saj telefonik shtetëror i cili jepet nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU).

Ishte vendosur që prefiksi i ri i Kosovës të hynte në fuqi që më 1 Janar 2015 por për shkak të mosdakordësisë me Serbinë ky proces u shty vazhdimisht e tani duket se gjërat janë në rrugën e duhur.

Përpjekjet kanë qenë të shumta deri në uljen në tavolinë në bisedime me palën Serbe dhe me ndërmjetësimin e BE-së në mënyrë që të arrihet një akord i cili do ti siguronte Kosovës kodin e saj telefonik.

“Duhet thënë se kalimi në një kod të ri shtetëror nuk do të jetë i lehtë si proces, sepse kjo nënkupton ndryshimin e marrëveshjeve ekzistuese për roaming me qindra operatorë mobil në mbarë botën,” tha IPKO në një prononcim ekskluziv për Redaksinë e PCWorld.al

Por çfarë sjell kodi i ri telefonik? Sa i gatshëm është shteti më i ri Europian për kodin e ri dhe si është planifikuar implementimi i këtij kodi? Sa të përgatitur janë operatorët telefonik?

Të gjitha këto pyetje e shumë të tjera do të marrin përgjigje në një intervistë ekskluzive me Kryetarin e Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, z. Kreshnik Gashi, i cili njëkohësisht është edhe përfaqësues në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë dhe anëtarë i grupit të ekspertëve.

Intervistë me z. Kreshnik Gashi, Kryetar i ARKEP

PCWA: Cilat janë përfitimet e qytetarëve në shërbimin që u ofrohet pas ndarjes së kodi telefonik +383? Por për Kosovën më arenën ndërkombëtare?

z. Gashi: Përfitimet pas marrjes së kodit telefonik janë të shumta. Në rrafshin ndërkombëtar, Republika e Kosovës krijon identitetin e vet shtetëror në fushën e telekomunikimeve, pasi që do të njihet, përkatësisht identifikohet me kodin e saj unik shtetëror +383. Ky kod do të përdoret në tërë territorin e vendit dhe nga të gjithë operatorët e telefonisë mobile dhe fikse, të cilët veprojnë në Republikën e Kosovës.

Me implementimin e kodit të ri unik, do të eleminohen pengesat e krijuara nga mungesa e tij, respektivisht përdorimi i tri kodeve të ndryshme (aktualisht +377, + 386, dhe +381), të cilat e kanë bërë të pamundshëm implementimin e disa mekanizmave të rëndësishëm, të cilët garantojë mbrojtje të konkurrencës në nivel të shërbimeve të komunikimeve elektronike si p.sh. Portabiliteti apo bartshmëria e numrave. Po ashtu do të eliminohen pengesat në orientimin e trafikut si në shkuarje ashtu edhe në ardhje, si dhe menaxhim më adekuat të resurseve të kufizuara numerike.

Përfitimet ekonomike janë të mëdha marrë parasysh kostot e larta të shkaktuara nga mungesa e kodit, pasi që operatorët në radhë të parë nuk do të jenë të detyruar që të paguajnë kosto të larta financiare për përdorimin e kodeve të huaja, e që reflektohen edhe në ofrimin e shërbimeve më cilësore dhe më të lira ndaj qytetarëve të vendit.

PCWA: Çfarë masash do të ndërmerren me hyrjen në fuqi kodit të ri telefonik?

z. Gashi: Menjëherë pas caktimit të kodit telefonik, përkatësisht publikimit të tij në Buletinin e ITU-së, ARKEP në bashkëpunim me ofruesit e shërbimeve të komunikimeve elektronike mobile dhe fikse do të filloj përgatitjen e strategjisë së migrimit nga kodet ekzistuese në kodin e ri. Sipas planit aksional për zbatimin e marrëveshjes së telekomunikacionit të vitit 2013 finalizimi i këtij dokumenti do të duhej të bëhej brenda 3 muajve. Megjithatë, marrë parasysh faktin se ARKEP tashmë veç ka filluar përgatitjet dhe takimet me palët e interesit, konsideroj se strategjia e migrimit do të përgatitet në kohë optimale. Në këtë dokument do të specifikohen të gjitha detajet e nevojshme për implementimin e kodit 383 nga ofruesit e shërbimeve të telefonisë mobile dhe fikse.

PCWA: Sa është kohëzgjatja e implementimit të kodit telefonik?

z. Gashi: Kohëzgjatja për implementimin e kodit të ri është paraparë të jetë 18 muaj. Natyrisht ky afat do të analizohet edhe njëherë gjatë hartimit të strategjisë së migrimit, pasi që është proces i cili mund të marr kohë, në veçanti për telefoninë mobile ku operatorët do të duhet që të arrijnë marrëveshje të reja të roamingut me operatorët tjerë nga e gjithë Bota. ITU-ja rekomandon afatin prej 24 muajve për implementimin e kodeve të reja, megjithatë çdo vend ka specifikat e veta dhe si rrjedhojë edhe afate të ndryshme.

PCWA: Çfarë ndodh me prefikset aktuale të cilët qytetarët kanë në shfrytëzim?

z. Gashi: Siç e përmenda më lartë, kodi i ri 383 do të jetë unik dhe me përdorim në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe nga të gjithë operatorët. Të gjitha kodet tjera, aktualisht në përdorim, pas implementimit të kodit të ri nuk do të përdoren më në Kosovë.

PCWA: Cili do të jetë roli i Kosovës në ITU pas dhënies së kodit telefonik?

z. Gashi: Institucionet e Republikës së Kosovës për implementimin e kodit telefonik dhe ARKEP si administrues i vetëm do të koordinoj të gjitha aktivitetet në komunikim direkt me ITU. Kjo është specifikuar në mënyrë të qartë edhe në Planin Aksional për telekomin të nënshkruar në vitin 2015.

PCWA: A do të ketë ndonjë fushatë kombëtare apo ndërkombëtare ndërgjegjësimi dhe cili do të jetë roli i qeverisë nëse realizohet?

z. Gashi: Të gjitha detajet rreth implementimit të kodit të ri telefonik do të specifikohen në dokumentin e migrimit. Natyrisht pas publikimit të kodit 383 në buletin e ITU-së operatorët tjerë ndërkombëtarë do të njoftohen për caktimin e këtij kodi dhe të gjitha detajet tjera do të koordinohen.

Në rrafshin kombëtar, nuk pritet që të ketë ndonjë ndryshim esencial në strukturën e numeracionit, por gjithësi qytetarët do të jenë të informuar mjaftueshëm për detajet e nevojshme gjatë dhe pas implementimit të kodit të ri.

PCWA: Sa janë të përgaditur operatorët në Kosovë?

z. Gashi: Siç e thash edhe më lartë, tashmë veç kanë filluar takimet në mes ARKEP dhe palëve të interesit dhe operatorët janë të përgatitur për këtë proces mjaft të rëndësishëm për Kosovën. Operatorët e telefonisë mobile, të cilët shfrytëzojnë kodet e vendeve tjera, në këtë rast Monakos 377 dhe Sllovenisë 386 me kohë kanë ndërmarr të gjitha masat e nevojshme në mënyrë që të mos ketë ndonjë barrierë eventuale dhe sa më lehtë të kalohet në kodin e ri.

PCWA: Cila ka qenë kostoja e mungesës së një kodi telefonik?

z. Gashi: Situata aktuale e Republikës së Kosovës në tregun e komunikimeve elektronike krahasuar me vendet tjera është plotësisht e ndryshme. Mungesa e kodit shtetëror telefonik ka krijuar një situatë jo të favorshme qoftë për operatorët ashtu edhe për konsumatorët dhe në përgjithësi tregun e komunikimeve elektronike. Kjo ka kushtëzuar që operatorët e telefonisë mobile në Kosovë të arrijnë marrëveshje me operatorët e vendeve tjera, respektivisht Monaco Telekom International në rastin e operatorit Telekomi i Kosovës SH.A. dhe Telekom Sllovenije për operatorin IPKO Telecommunications, me qëllim të shfrytëzimit të kodeve kombëtare të shteteve të tyre, në mënyrë që përmes tyre të rutojë përkatësisht të terminojnë dhe origjinojnë thirrje ndërkombëtare.

Natyrisht, në një gjendje e tillë e bartë me vete edhe koston financiare. Vlerësohet se që nga pas lufta e deri më tani kosto e mungesës së kodit telefonik është rreth 220 milion euro. Pra këtu kemi të bëjmë vetëm me kostot direkte, të cilat iu atribuohen direkt mungesës së kodit telefonik. (PCWorld Albanian)

Intervistë me Kryetarin e ARKEP, Kreshnik Gashi: Kodi telefonik shtetëror i Kosovës garanton konkurrencë në nivel të shërbimeve
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)