Hulumtuesit zbuluan se aplikacionet falas në Android realisht po komunikojnë çdo ditë me mijëra uebfaqe

Publikuar më: 05-05-2015

androidPërdorni aplikacione falas në smartfonin tuaj Android? Në fakt të gjithë përdorin por dëshirojmë që të jeni në dijen të diçkaje të pazakontë: Ju mund të keni vizituar mbi 1000 uebfaqe pa qenë në dijeni.

Ishin disa hulumtues francezë të cilët së bashku me MIT Technology Review zbuluan këtë situatë të padëshirueshme. Ky ekip hulumtuesish shkarkuan mbi 2000 aplikacione falas në Android përfshi këtu edhe 25 aplikacionet më të shkarkuara në PlayStore, dhe a e dini çfarë bënë më pas? I monitoruan trafikun dhe u zbulua se këto 2000 aplikacione kishin vizituar mbi 250,000 uebfaqe.

Më i frikshëm është fakti se pothuaj çereku i këtyre vizitave janë të pa justifikueshme dhe pashpjegueshme. Ne kemi një shpjegim. Këto aplikacione mos të themi një pjesë e madhe mbështetin reklama. Për të ofruar këto reklama aplikacionit i duhet që të vizitojë qindra uebfaqe. Në të vërtetë, 9 nga 10 aplikacionet falas në të shumtën e rasteve vizitonin sitet e reklamimit të Google. Por sa është numri real i uebfaqeve që një aplikacion viziton?

Aplikacioni Music Volume EQ komunikon me mbi 2000 uebfaqe të ndryshme. Dhe këtu fillojnë edhe problemet sepse një aplikacion për të kontrolluar volumin e muzikës nuk e ka fare të nevojshme të shfrytëzojë internetin. Dhe po ta mendoni që ky aplikacion ka diku mes 10-50 milion shkarkime në PlayStore.

Por harrojeni këtë aplikacion se ajo çfarë do tu themi tani është më serioze. 30 % e aplikacioneve të testuara vizitonin afro 800 uebfaqe të cilat gjurmojnë vazhdimisht vizitorët. Aplikacioni Eurosport Player komunikonte me mbi 810 uebfaqe gjurmuese.

Një gjë është e sigurtë: Google gjendet në pozita aspak të këndshme. Nuk është e lehtë të mbash gjallë shpirtin e Android njëkohësisht duke ruajtur maksimalisht privatësinë dhe sigurinë e përdoruesit. Ky hulumtim duhet të shërbejë mjaftueshëm si arsye që Google tu japë më shumë akses përdoruesve ndaj të dhënave që shfrytëzojnë aplikacionet.

Pavarsisht kësaj, ky grup hulumtuesish ka në plane të publikojë një aplikacion i cili do të ndihmojë të gjithë përdoruesit e një telefoni Android të gjurmojnë dhe monitorojnë këto aplikacione. (PCWorld Albanian)

Hulumtuesit zbuluan se aplikacionet falas në Android realisht po komunikojnë çdo ditë me mijëra uebfaqe
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)