Hapet konferenca Software Freedom Kosova 2013

Publikuar më: 08-09-2013

SFK 1Të shtunën ka përfunduar dita e parë e konferencës më të madhe për softuer të lirë dhe të hapur në Ballkan, Software Freedom Kosova. Mbi 170 pjesëmarrës patën rastin që të dëgjojnë ligjërata për tema të ndryshme, që përqendrimin kryesor e kishin në frymën dhe natyrën e softuerit të lirë dhe të hapur. Dita e parë, për dallim nga dy ditët e tjera të ardhshme, pra e diela dhe e hëna, ishte vetëm me ligjërata, ndërsa gjatë dy ditëve në vijim konferenca pritet të vazhdojë me pjesën praktike, ku përveç ligjërimeve dhe udhëzimeve të shkurta, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë që të bëjnë punë praktike.

Prezantimin hyrëse e mbajtën anëtarët e shoqatës FLOSSK, Arianit Dobroshi, Altin Ukshini dhe Ardian Haxha, të cilët shprehën mirëseardhje për ata që kanë gjetur kohën për të marrë pjesë, duke falënderuar dhe sponsorët. Dobroshi tregoi se si kishte ardhur deri te ideja e nisjes së kësaj konference, kur amerikani James Michael DuPont, i martuar me një shqiptare nga Kosova, kishte parë praninë e sallave të mëdha dhe të përshtatshme për zhvillim të një konference të tillë, e cila këtë vit mbahet për herë të pestë me radhë.

Ligjëruesi i parë ishte përfaqësuesi i Mozilla-s, Alex Lakatos, i cili si temë kishte sistemin operativ Firefox. Ai tregoi që ky sistem operativ ka si synim më tepër vendet në zhvillim e sipër, të cilat nuk mund t’i përballojnë çmimet e larta të smartfonëve të popullarizuar këto ditë. Telefoni në të cilin përdoret ky sistem operativ vjen me softuer dhe harduer me çmim të lirë. Sipas Lakatos, ky sistem i ri operativ është i bazuar në teknologjinë e hapur të uebit dhe ajo që e u përmend si arsye për ta përdorur këtë sistem krahas sistemeve të tjera si iOS dhe Android është instalimi i aplikacioneve nga uebi, shkrimi i të cilëve aplikacione nuk paraqet ndonjë dallim të madh nga aplikacionet që shkruhen për Android. Ai paralajmëroi që në praktikën që pritet të mbahet dielën, do të paraqes demonstrimin hap pas hapi se si të zhvillojë një aplikacion për sistemin operativ Firefox.

Fehmi Dumani më pas foli në lidhje me rolin e komuniteteve lokale dhe rolin e tyre në botën e përdoruesve të sistemit të hapur dhe të lirë. Sipas tij, vetëm pse është softuer me burim të mbyllur, nuk nënkupton që ai nuk ka vrima, apo nuk ka probleme me siguri. Ai tregoi që pjesë e këtij komuniteti nuk mund të jenë vetëm zhvilluesit dhe testuesit e programeve, por kushdo që ka ndonjë ide, aftësi dizajnimi, etj., që mund të japin kontribut, i cili, sipas Dumanit, nuk ka rëndësi a është i madh apo i vogël, pasi secili kontribut është i çmueshëm. Ndihma ndaj të tjerëve, të cilën gjë e bën komuniteti pjesëmarrës me vullnetarë, përveç të tjerash, stimulon zhvillimin e kreativitetit, që mund të jetë një përfitim mjaft i madh për anëtarët e komunitetit.

Tema e radhës ishte për Bashkëpunimin e Hapur të Kosovës me Qeverinë (Open Government Partnership Kosova) nga Arianit Dobroshi, i cili foli për rëndësinë e transparencës nga qeveria, që do të mund të ishte një gjë shumë e mirëpritur nga populli, pasi do të mund të njiheshin se çfarë ndodh në përgjithësi me punët e shtetit. Arsyeja e ligjërimit të kësaj teme në këtë konferencë ishte për shkak të tiparit të përbashkët që ka kjo nismë me hakerët (nuk po bëhet fjalë për persona që etiketohen me këtë nofkë për qëllime të këqija, por për hakerët për të cilët mund të lexoni më tepër këtu): etika dhe të qenit transparent. Sipas Dobroshit, më datën 13 shtator, pritet të mbahet takimi i parë për këtë nismë në Prishtinë, ku pritet të ketë konsultime, si dhe bashkëpunime në lidhje me grupet e ardhshme punuese. Kjo nismë pritet që të përhapet nëpërmjet ngjarjes Barcamp, që ndryshe njihet si jo-konferencë.

SFK3Më pas, konferenca vazhdoi me ligjëratën e Redon Skikulit nga shoqata Open Labs, nga Tirana, i cili si temë pati hapësirat e hakerëve. Prezantimin e tij e paraqiti duke e treguar se si dituria ka ndikuar në përmirësimin e gjendjes së njerëzimit, por tani sistemi i edukimit është duke çaluar, pasi po pengon zhvillimin e kreativitetit dhe të kuriozitetit që mund ta kenë të rinjtë për gjëra të ndryshme. Kështu njerëzit kanë filluar të përdorin internetin, ku nëpërmjet formave të ndryshme si chatet, forumet, mailing listat etj., kanë shpërndarë idetë e tyre, për të cilat kanë gjetur përkrahje, e që më pas kanë lindur projekte të mahnitshme. Por, megjithëse diskutimet dhe bashkëpunimet dixhitale janë një ndihmesë e madhe, sipas Skikulit, u paraqit nevoja për të bërë bashkëpunime duke u bërë takime në botën reale. Kjo u përcoll me ardhjen e hapësirave të hakerëve, apo në anglisht hackerspaces, që paraqesin klubet e reja të të interesuarve në bashkëpunime për gjëra të ndryshme për një mirëqenie më të kënaqshme për të gjithë. Ai tregoi për hapjen e kësaj hapësire në Tiranë, Open Labs, që u bë në qershorin e vitit 2012, që si produkt ka dhënë WMKIT. Kjo pajisje mund të jetë mjaft e dobishme për të interesuarit në programim, pasi mund të lehtësojë mësimin e programimit, por edhe të punës me harduer të hapur, duke pasur mundësi të shumta për kombinim. Qëllimi i këtyre hapësirave të hakerëve, sipas Skikulit, është hakimi si pirat.

Gjatë kësaj kohe, anëtari i bordit të shoqatës FLOSSK, Altin Ukshini, shfrytëzoi rastin të tregojë që kjo shoqatë ka në plan që menjëherë pas kësaj konference të përqendrohet në hapjen e një hapësire punuese të tillë hackerspace në Kosovë, në të cilën cilido i interesuar mund të marrë pjesë duke u angazhuar për projekte të ndryshme. Hapja e kësaj hapësire punuese pritet që të bëhet brenda 3 muajve të ardhshëm.

SFKSiguria në kompjuterë ishte tema e radhës që u ligjërua nga Hekuran Doli, i cili tregoi për një statistikë sipas të cilës një në tre persona që përdor internet është i infektuar me ndonjë lloj virusi. Doli përmendi llojet e rreziqeve të cilat rrezikojnë sigurinë dhe privatësinë e përdoruesve, duke treguar që vetë antivirusi është një lloj mjeti që, megjithëse mund të duket se është përgatitur për të ju mbrojtur, mund të jetë i rrezikshëm për ju.

Konferenca vazhdoi me ligjëratën nga Tim Dobson, i cili këtë vit për herë të dytë merr pjesë si ligjërues në këtë konferencë, por kësaj here, për dallim nga herën e kaluara, ai kishte marrë me vete edhe nënën e tij, e cila po ashtu përdor softuer të lirë dhe të hapur, siç bëjnë edhe anëtarët e tjerë të familjes së tij. Dobson tregoi se si ai, megjithëse nuk është zhvillues dhe nuk di të kodojë, përdor softuer të lirë dhe të hapur, për shkak të kënaqësisë që ky lloj softueri ia ofron atij. Ai si administrator i softuerit tregoi që softuerin e lirë dhe të hapur e përdorin shumë ndërmarrje të njohura si Facebook, Google, Reddit, etj., e sipas Dobson, edhe disa ndërmarrje nga Kosova si për shembull Kujtesa dhe Ipko. Kënaqësia sipas tij arrihet duke shpërndarë përvojat dhe njohuritë dhe duke u marrë me gjëra që me të vërtet ju pëlqejnë, pasi koha është gjëja më e çmueshme që e posedon njeriu.

Më pas ligjëratë mbajti Baki Goxhaj, i cili për të pestën herë me radhë – pra ka marrë pjesë në të gjitha edicionet e kësaj konference . Goxhaj, me përvojë gjashtë vjeçare si freelancer, dha disa udhëzime për të gjithë ata që duan t’ia nisin që të bëjnë një punë të tillë nga shtëpia. Sipas tij, së pari duhet të mësohet anglishtja mirë dhe duhet të jesh i mirë në diçka; ka shumë rëndësi gjuha e përdorur, sidomos qartësia, struktura dhe shenjat e pikësimit. Goxhaj tregoi që duhet të gjeni një gjë e cila iu pëlqen ta bëni, më pas të mësoni çdo ditë nga një gjë të re për të. Marrja e klientëve mund të bëhet në dy mënyra: rruga e lehtë është përmes oDesk, Elance, Freelance.com dhe Guru, të cilët ofrojnë mundësi të gjetjes së klientëve. Por Goxhaj këshillon që të zgjidhet rruga tjetër: përqendrimi në një lloj, nisja e një blogu për të përmbledhur përvojat dhe gjërat që i keni gjetur dhe të jeni me cilësi mjeshtërore në profesion. Mbase për shkak që nuk shkon në një ambient të punës mund të kuptohet si liri, por kjo liri edhe mund të jetë pengesë, sepse përcillet me paraqitjen e gjërave të ndryshme tërheqëse të cilat mund t’ua marrin vëmendjen dhe t’ju lënë pa punuar. Sipas Goxhajt, duhet të ekzistojë një baraspeshim mes punës dhe jetës, pra të mos lihet as ana profesionale pa angazhimin e duhur, e po ashtu të mos anashkalohet familja.

Arbnor Hasani më pas tregoi për pengesat e bukurisë së shpërndarjes së kodit. Ai paraqiti disa probleme të cilat paraqiten me institucionet publike dhe qeveritare në projektet softuerike. Qeveritë nuk e përkrahin përdorimin e këtij softueri mbase kryesisht për ekzistencën e vrimave të mundshme në softuer, apo që thjesht nuk i dinë përfitimet që i kanë nga përdorimi i këtij softueri. Ai u përqendrua në përgjigjen e tri pyetjeve: ndarja e teknologjisë nga problemi që trajtohet duke theksuar funksionet kyçe të zgjidhjes dhe nevojave të përdoruesit; krijimi i një prototipi, që është një mënyrë për të larguar frikën për softuerin me burim të hapur duke demonstruar funksione kyçe të përmbushjes së nevojave të përdoruesve; puna brenda një konteksti dhe fillimi me gjëra të vogla. Sipas tij, personat që bëjnë gjëra të mëdha nuk ia fillojnë duke thënë: kjo gjë do ta ndryshojë botën. Apo të dalin me produktin i cili është në formën më të mirë që në fillim, pasi që duhet të jetë mjaft i ndërlikuar dhe njerëzit nuk kanë kohë që të merren së tepërmi me të për ta kuptuar se si funksionon.

Bert Desmet, për herë të dytë pjesëmarrës në Software Freedom Kosova -për herë të parë mori pjesë në SFK në vitin 2010 – foli në lidhje me teknologjinë cloud. Ai tregoi disa gjëra në lidhje me cloudin për ndërmarrje: shkallëzimi, mirëmbajtja me çmim të përballueshëm dhe qëndrueshmëria, të cilat mund të arrihen me lehtësi nëpërmjet automatizimit të cilin e ofrojnë disa vegla si pxe boot dhe puppet.

SFK4Më pas, profesori në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, me doktoraturë të kryer në shkenca kompjuterike, tregoi për një projekt të cilin e ka nisur ai, duke u frymëzuar nga sasia e madhe e dokumenteve tekstuale në lidhje me debatet në parlamentin e Maqedonisë. Projekti në fjalë ka të bëjë me një program në ueb që merr të dhëna nga uebfaqja e parlamentit të Maqedonisë dhe publikon përmbledhje duke u bazuar në disa kritere. Arsyeja pse këto përmbledhje publikohen është për shkak se transkriptat nga seancat parlamentare janë mjaft të gjata, ku ndodh që një dokument (deri tani ka diku 3000 dokumente) mund të ketë deri në 100 faqe dhe mungesa e kohës së mjaftueshme për popullin për t’i shikuar ato, pastaj për të rritur transparencën, për të qenë në dijeni me angazhimin e çdo deputeti, e kështu me radhë. Ky program është synuar për të gjithë në përgjithësi, por mund të përdoret edhe nga persona me profesione që kanë të bëjnë më tepër me të dhëna të kësaj natyre, si gazetaria. Programi pritet që në fillim të muajit tetor të bëhet publik nën një licencë të lirë dhe me burim të hapur.

Ligjërata e fundit për ditën e parë u mbajt nga Ana Risteska, e cila tregoi për Programet e Mbërritjes së Femrave, të cilat janë përpjekje të bëra posaçërisht për të përkrahur dhe rritur pjesëmarrjen e grave në softuerin e lirë dhe të hapur, pasi pjesëmarrja e tyre në komunitete të softuerit të këtij lloji është mjaft e ulët, që sipas sondazheve është vetëm 5 për qind e komunitetit FOSS. Konferenca pritet të vazhdojë edhe për dy ditë të tjera në vijim, më 8 dhe 9 shtator, që është më tepër e tipit praktik. Sipas Altin Ukshinit, deri më tani numri i atyre që kanë marrë pjesë ishte mbi 170, por po ashtu një numër i madh i njerëzve kanë shprehur dëshirën që të marrin pjesë vetëm në seancat praktike, duke e çuar numrin e pjesëmarrësve në këtë konferencë në mbi 250 individë. (PCWorld Albanian)

Hapet konferenca Software Freedom Kosova 2013
1 vote, 5.00 avg. rating (96% score)