Hakohen llogaritë e shefit të Facebook, Mark Zuckerberg, në Twitter dhe Pinterest

Publikuar më: 07-06-2016

zuckerbergNjë grup hakerah njohur me emrin “OurMine Team” mori nën kontroll llogaritë e shefit ekzekutiv të rrjetit social Facebook, Mark Zuckerberg, në Twitter dhe Pinterest duke shfrytëzuar informacionin e publikuar nga hakimi i Linkedin në 2012-tën.

Sipas grupit të hakerave fjalëkalimet e llogarive të Mark Zuckerbeg në Twitter dhe Pinterest ishin të njëjtë me atë të Linkedin. Që të dy rrjetet sociale rikthyen llogaritë tek Zuckerberg dhe si rezultat u hoqën edhe publikimet e bëra nga grupi i hakerave.

Thyerja e sigurisë së Linkedin në 2012-tën pati një impakt të lartë dhe rezultoi në vjedhjen e miliona fjalëkalimeve dhe informacioneve të përdoruesit. Paralajmërime të vazhdueshme vinin nga Linkedin për përdoruesit që të ndryshonin fjalëkalimet jo vetëm në rrjetin social në fjalë por edhe platformat e tjera ku i kishin përdorur.

Nuk ka asnjë provë për ndonjë dëm të mundshëm bërë ndaj Zuckerberg nga hakimi i llogarisë. Në të vërtetë shefi ekzekutiv nuk kishte postuar as edhe një cicërime në Twitter që nga 2012-ta. Në Pinterest emrin i tij u ndryshuar në “Hacked by OurMine Team.”

Ky grup hakerash vijoi më tutje duke thënë se kishte hakuar edhe llogarinë e Instagram. Facebook mohoi të tilla spekulime duke thënë për VentureBeat se asnjë sistem apo llogari e rrjetit social nuk është prekur. (PCWorld Albanian)

Hakohen llogaritë e shefit të Facebook, Mark Zuckerberg, në Twitter dhe Pinterest
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)