Harduer

Google zyrtarizon telefonët e shumpritur: Pixel dhe Pixel XL

Oct 4 2016
0 Shpërndarje
Google zyrtarizon telefonët e shumpritur: Pixel dhe Pixel XL

img_0108-980x653Ashtu siç pritej Google zbuloi telefonët e shumëpritur Pixel të cilët shënojnë përpjekjen e parë serioze të kompanisë në industrinë e harduerit duke shtrirë tentakulat përtej softuerit.

Kompania prezantoi dy telefonë të rangut të lartë: Pixel me ekran 5 inç dhe Pixel XL me ekran 5.5 inç. Porositë fillojnë nga dita e sotme me çmim fillestar prej 649 dollar, kosto disaherë më e lartë sesa ajo e telefonëve Nexus.

Telefonët janë versioni i madh dhe i vogël i po të njëjtit dizajn. Trupi prej alumini shoqërohet nga një panel xhami në pjesën e pasme. Ky panel mbulon 1/3 e hapësirës duke rrethuar kameren dhe skanerin e shenjave të gishtërinjve.

Google thotë se është vetë zhvilluesi i telefonëve por falë dokumenteve të Komisionit Federal Tregtar Amerikan dihet se prodhuesi është HTC, telefonë që ngjajnë së shumti me HTC A9 dhe HTC Desire 10.

Diferencat kryesore të telefonëve janë në madhësinë dhe rezolucionin e ekranit dhe baterinë. Konkretisht, Pixel ka ekran 5 inç AMOLED me rezolucion 1080p dhe bateri 2,770 mAh ndërsa Pixel XL ka ekran 5.5 inç me rezolucion 1440p AMOLED dhe bateri 3,450 mAh.

Pixel dhe Pixel XL fuqizohen nga procesori i ri Snapdragon 821 i Qualcomm, i cili nuk përbën diferencë të madh përveçse një frekuencë më e lartë, nga 2.15 Ghz në 2.4 Ghz për bërthamë. Dy telefonët kanë 4GB RAM, kamera të pasme 12 megapiksel, kamera frontale 8 megapiksel, skaner të shenjave të gishtërinjve dhe portë USB-C.

Google është në kontroll të plotë të softuerit të telefonëve, andaj prisni përditësime të shpejta si në linjën Nexus. Linja Pixel do të shënojë në të njëjtën kohë një rritje të softuerëve eskluziv si një lançues të ri, ikona të rrumbullakëta, gjeste me prekje e shumë të tjera.

Telefonët janë funksional me çdo operator dhe rajon dhe mund ti blini drejtpërdrejt nga Google. Janë të disponueshëm në tre ngjyra: blu, argjendtë dhe zezë. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>