Google ka zgjidhje për Iphone 5

Publikuar më: 17-05-2012

Google po fillon një ofenzivë të telefonave mobil kundër rivalit Apple, por edhe operatorëve mobil kështu që në fund të vitit mund të presim 5 modele të reja të telefonave Nexus.

Google po përgatit disa ndryshime në strategjinë e telefonëve mobil të cilët do të drejtohen kundër kompanisë Apple dhe operatorëve mobil. Google deri tani versionet e reja të Android-it i ka prezantuar në telefonët e vet Nexus (një version – një telefon) të cilët i bëri në bashkëpunim me prodhuesit e njohur të telefonëve mobil HTC dhe Samsung, si psh. modeli i fundit ka qenë Galaxy Nexus që e zhvilluan në bashkëpunim me Samsung-in, kurse në të ardhmen me versionet e reja të Android-it do të prezentoj disa modele të telefonit Nexus me prodhues të ndryshëm të telefonëve mobil.

Në këtë mënyrë Google dëshiron t’i arrijë dy gjëra – dëshiron t’i bëjë më shumë konkurrencë kompanisë Apple duke prezantuar më shumë modele të avansuara (shfrytëzuesit do të kenë më shumë zgjedhje), por edhe dëshiron të jetë më pak i varur nga operatorët mobil sepse këta telefonë kanë ndërmend t’i shesin përmes internetit, e jo përmes operatorëve mobil. Problemi i Google me operatorët mobil qëndron në faktin se këta të fundit nganjëherë bllokojnë disa aplikacione, pastaj fusin aplikacionet e tyre të cilat e ngadalsojnë pajisjen. Poashtu, disa telefonë janë në dispozicion vetëm në ofertat e disa operatorëve mobil, kurse Google në këtë mënyrë do ta bëjë të mundshme që të gjithë shfrytëzuesit t’i blejnë këta telefonë menjëherë si të dalin në treg pa pasur nevojë të presin ofertat e operatorëve mobil.

Problemi më i madh në strategjinë e Google është çmimi i pajisjeve mobile – operatorët mobil i shesin pajisjet me çmime shumë më të lira (me nënshkrimin e kontratës), kurse Google do t’i shiste pa kurrfarë zbritje kështu që çmimi i tyre do të ishte dy herë më i madh. Kështu Galaxy Nexus në SHBA në ofertën e operatorëve mobil kushton 200 dollarë, kurse Google e shet përmes internetit për 400 dollarë, por në këtë mënyrë shfrytëzuesit nuk nënshkruajnë kontratë me operatorët mobil dhe marrin pajisjen e hapur (deblokuar), kështu që mund ta ndërrojnë operatorin kur të duan e jo pas kalimit të kontratës një apo dyvjeçare.

Google këtë strategji do të mund ta aplikonte në tetor apo nëntor të këtij viti kur edhe do ta prezantoj sistemin e vet operativ (Android 5.0 Jelly Bean) dhe atëherë do të mund të dilnin në treg telefonët Nexus të cilët kjo kompani do t’i bëjë në bashkëpunim me Samsung, HTC, LG, Sony dhe Asus.

Siç duket deri në fund të vitit do të na presin shumë surpriza në tregun e telefonëve mobil – përveç pajisjeve Nexus që përmendëm, Apple do duhej të prezantoj modelin Iphone 5 i cili do të duhej të kishte diagonalen e ekranit 10.2 cm (4 inch) , kurse konkurrencën do ta forcojnë edhe më shumë kompanitë Microsoft dhe Nokia.

Në fund të vitit presim sistemin operativ Microsoft Windows Phone 8 dhe telefonët e parë që punojnë me këtë sistem, prandaj pritet që Microsoft-i në bashkëpunim me Nokia të përgatisin modele të reja dhe interesante që do t’i bëjnë konkurrencë Iphone-it dhe Android-it. (PCWorld Albanian)

Google ka zgjidhje për Iphone 5
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)