Google do të shkrijë Chrome OS dhe Android në një platformë në 2017-tën raporton Wall Street Journal

Publikuar më: 30-10-2015

android-apps-on-a-chromebook-100444160-largeGoogle ka më shumë se dy vite që po punon për këtë projekt. Sipas burimeve të Wall Street Journal, Google planifikon që nga 2017-ta të shkrijë dy sistemet operative, Chrome OS dhe Android, në një të vetëm.

Burime nga brenda kompanisë kanë konfirmuar edhe progresin e bërë në këtë drejtim. Sipas tyre Google do e prezantojë një version paraprak të sistemit operativ që nga viti i ardhshëm.

Android padyshim është sistemi operativ mobil më popullor në rang global. Më shumë se 1 miliard telefonë, tabletë dhe orë inteligjente funksionojnë me këtë ekosistem. Nga ana tjetër Chrome OS është ndërtuar për kompjuterat personal dhe specifikisht për laptopët që ndryshe i njohim si Chromebook. Aktualisht kompjuterat Chromebook zënë një përqindje modeste të tregut prej 3 % sipas të dhënave të International Data Group.

Bazat e para për shkrirjen e sistemeve operative mobile dhe desktop i hodhi Ubuntu duke prezantuar konvergjencën mes platformave e megjithatë atë akoma nuk është një realitet. Më pas në skenë doli Microsoft dhe ndërmori hapa galopantë në këtë drejtim me Windows 10-tën. Për të afruar më tej platformat mobile dhe desktop Microsoft ndërtoi aplikacionet universale duke unifikuar edhe dyqanet e aplikacioneve. Qasja e Google po rezulton e njëjtë me atë të Microsoft sipas Wall Street Journal.

Wall Street Journal vijon më tej me pretendimet se versioni i ri Chrome-Android i sistemit operativ do të funksionojë në telefonë, tabletë, orët inteligjente, TV dhe sistemet kompjuterike të automobilave. Në aspektin e aplikacioneve, do të shohim një Play Store të funksionojë edhe në desktop. Pavarsisht këtyre ndryshimeve të reja, versioni desktop i Android do të jetë me burim të hapur.

Në kontrast gjendet poli i tretë, Apple. Ky gjigand nuk ka zgjedhur të adoptojë qasjen e Google dhe Microsoft. Sipas Tim Cook shkrirja e dy sistemeve operative nuk do të ofrojë kurrë eksperiencën më të mirë në platforma të ndryshme.

Megjithatë edhe pse Chrome OS dhe Android janë të bazuar në Linux nuk do të jetë aspak e lehtë kombinimi i tyre. Për shembull laptopët kanë tastiera dhe ekrane të mëdha duke bërë të mundur hapjen e disa aplikacioneve njëherazi në ekran. Telefonët dhe tabletët Android gjithashtu mund të funksionojnë me disa aplikacione njëherazi por jo të mbajnë më shumë se një të hapur në ekran. (PCWorld Albanian)

Google do të shkrijë Chrome OS dhe Android në një platformë në 2017-tën raporton Wall Street Journal
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)