Gjykata gjermane ndalon shitjen e Samsung Galaxy Tab 7.7

Publikuar më: 25-07-2012
Gjykata gjermane ndalon shitjen e Samsung Galaxy Tab 7.7

Gjykata e Lartë e Dyseldorfit morri vendim që të ndaloj shitjen e Samsung Galaxy Tab 7.7 në Evropë për shkak të shkeljes së të drejtave të Apple rreth dizajnit të produktit. Tableti ngjanë shumë me iPad-in. Gjykata dha edhe një vendim tjetër, sipas së cilit Galaxy Tab 10.1N (i modifikuar) nuk cënon të drejtat e Apple dhe do të lejohet të shitet në Gjermani. 

Sipas konferencës për shtyp, Galaxy Tab 7.7 shkel të drejtat e Apple në lidhje me ngjashmërinë në dizajnin e produktit dhe sipas ligjeve të mbrojtjes së pronës intelektuale në Evropë, ai mund të ndalohet nga Gjykatat. Gjithashtu, kompania Samsung Korea nuk lejohet të shpërndajë Tab 7.7 në BE, përveç Gjermanisë. Kjo për arsyen se shpërndarja e Galaxy Tab 7.7 në Gjermani ishte ndaluar që në tetor 2011 nga Gjykata e Shkallës së Parë Dyseldorf. Gjithsesi, Gjykata e Shkallës së Parë nuk kërkoi që tableti të ndalohej në gjithë Evropën meqënëse Samsung Germany dhe Samsung Korea ishin dy kompani të pavarura ligjërisht. 

Megjithatë, Gjykata e Apelit vendosi që dega gjermane ishte pjesë e kompanisë amë dhe vepronte në interes të saj, prandaj edhe Samsung Korea-s i'u ndalua shitja e Tab 7.7 në Evropë. Sipas Gjykatës, pjesa e pasme dhe cepat e Galaxy Tab 7.7 dhe iPad-it janë plotësisht të ngjashme.  

Vendimi i dytë i dhënë nga Gjykata ishte lejimi i Galaxy Tab 10.1N, i cili është një version i modifikuar i Galaxy Tab 10.1. Ky i fundit ishte ndaluar në Gjermani së bashku me Galaxy Tab 8.9 në janar. Gjithsesi, Gjykata vendosi që 10.1N ndryshon në mënyrë të dukshme dhe nuk cënon të drejtat e Apple.  

Të dyja vendimet janë përfundimtare, u shpreh Gjykata. Apple nuk dha asnjë deklaratë, ndërsa Samsung u shpreh se do të ndërmarrë çdo masë për t’u siguruar që produkti të jetë i disponueshëm në Evropë. Sipas kompanisë, "pretendimet e Apple po pengojnë krijimtarinë dhe ecuria e progresi në industri do të kufizohet, nëse vazhdohet kështu." (PCWorld Albanian) 

Gjykata gjermane ndalon shitjen e Samsung Galaxy Tab 7.7
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)