Florian Kunushevci, hakeri shqiptar nga Kosova që zbuloi dobësi sigurie në uebfaqet e ESET dhe SkyTV

Publikuar më: 03-12-2015

12279215_1944259129131910_3781033383911545946_nTalentet nuk i kanë munguar asnjëherë këtyre trevave. Për 3 vite me radhë konkursi mbarëkombëtar Albanian ICT Awards e ka provuar këtë fakt. Por sot në qëndër të vëmendjes sonë është një djalosh shqiptar nga Kosova. Emri i tij është shfaqur në listën e 100 hakerave më të mirë publikuar nga platforma televizive në Zelandën e Re, Sky TV.

Përmes një programi i cili synon të identifikojë problemet e sigurisë në uebfaqen e televizionit, Sky TV publikoi një listë prej 109 hakerash të cilët kanë kontribuar në këtë aspekt në shenjë mirënjohje.

Në këtë listë është edhe emri i Florian Kunushevci një djalosh 16 vjeçar nga Prishtina me pasion të madh për sigurinë kibernitike. Floriani ka raportuar pranë SkyTV një dobësi sigurie në proçesin e identifikimit në uebfaqe me impakt mesatar.

Në rrjetin social Facebook Floriani shkruante: “Falenderimi i takon Allahut familjes dhe të gjithë përkrahësve që me këtë punë që po bëj, po arrij të eci përpara në sigurinë kibernetike ku si qëllim kryesor kam diturinë dhe popullarizimin e Kosovës ndërkombëtarisht.”

 

12295231_1946287788929044_4346106704719351388_n

Por sukseset e këtij djaloshi vijojnë më tej. Në ditët e para të Nëntorit po në rrjetin social Facebook vinte në dijeni miqtë e tij për çertifikatë mirënjohje marrë nga kompania e produkteve të sigurisë me seli në Sllovaki, ESET. Floriani kishte gjetur një dobësi XSS në uebfaqen e ESET.

Gjatë një komunikimi përmes postës elektronike Floriani tha për PCWorld Albanian se “shpreson që në të ardhmen këto aftësi të shfrytëzojë në të mirë me synimin për tu afirmuar si një haker etik i mirëfilltë.”

Fjalët e tij ishin me të vërtetë inspiruese. Çfarë gjërash të mrekullueshme mund të arrijë një njeri kur dashuron atë që bën dhe për këtë Florian u shpreh: “Jam falenderues ndaj Zotit, familjes dhe të gjithëve atyre që përkrahën punën time që prej moshës 11 vjecare kur kam filluar së pari herë.”

Ky djalosh i talentuar gjithashtu ka qenë pjesë e konkursit “Dita kur hakimi është i ligjshëm” të mbajtur në kuadër të konferencës Privatësia në Epokën Dixhitale organizuar nga Agjensia Kombëtare për Mbrotjen e të Dhënave Personale. (PCWorld Albanian)

Florian Kunushevci, hakeri shqiptar nga Kosova që zbuloi dobësi sigurie në uebfaqet e ESET dhe SkyTV
4 votes, 5.00 avg. rating (97% score)