Facebook zyrtarizon “Instant Articles”! Një risi që do të rrisë shpejtësinë e ngarkimit të postimeve

Publikuar më: 14-05-2015

fb-1-e1431456559724Ditën e martë Facebook i prezantoi publikut një risi e cila premton reduktim të kohëzgjatjes që kërkon një lajm, artikull apo postim për tu shfaqur në faqen kryesore të përdoruesve që aksesojnë Facebook nga një pajisje mobile.

Kompania deklaron se kjo veçori ka si qëllim të adresojë përvojën shpeshherë të bezdisshme të pritjes që një artikull të aksesohet pasi keni klikuar në të. Instant Articles pretendohet të bëjë 10 herë më të shpejtë kohën e ngarkimit të një postimi për përdoruesit e pajisjeve mobile.

Përvec avantazhit kryesor që sjell, shkurtimit të kohës, Instant Articles do të përfshijë një sërë karakteristikash të reja siç janë hartat interaktive, zmadhimi i imazheve, videot që fillojnë të luhen automatikisht etj. Ndër partnerët që kanë bashkpunuar me Facebook në këtë risi të re në rrjetin social janë dhe mediat prestigjoze si The New York Times, National Geographic, BuzzFeed, NBC, The Atlantic, The Guardian, BBC News etj.

Ashtu sic deklaron shefi i produkteve të Facebook, kjo është një risi e cila i jep mundësi publikuesve të ofrojnë një eksperiencë më të mirë për lexuesit e tyre në Facebook. Pas lançimit të Instant Articles, ata do të publikojnë artikuj interaktiv në një kohë më të shkurtër ndërkohë që ruajnë kontrollin dhe përmbajtjen mbi biznesin e tyre. Qëllimi kryesor i gjithë kësaj është sigurisht përmirësimi i eksperiencës së përdoruesve dhe rritja e angazhimit të tyre në rrjetet sociale.

Facebook e ka kuptuar rëndësinë e përdoruesve që aksesojën atë nga pajisjet mobile ndaj këto të fundit janë kthyer në një element kyç për rrjetin më të madh social në botë. Më shumë se 85% e përdoruesve të Facebook përdorin shërbimin çdo ditë përmes një pajisje mobile ndërkohë që 73% e të ardhurave vijnë nga reklamat e shfaqura në smartfonë apo tabletë. Përveç një marrjë më të shpejtë të vëmendjes nga lexuesit në artikujt e tyre, botuesit do të përfitojnë dhe nga të ardhurat në rritje që vijnë si pasojë e klikimit të reklamave. Instant Articles do të ndihmojë botuesit të përcaktojnë të dhënat e përdoruesit dhe të masin trafikun përmes comScore dhe mjeteve të tjera analitike. Kompania Facebook ka deklaruar se Instant Articles është bërë i disponueshëm në aplikacionin Facebook për iPhone por nuk ka dhënë ndonjë detaj se kur ai do të bëhet i disponueshëm dhe në Android. (PCWorld Albanian)

Facebook zyrtarizon “Instant Articles”! Një risi që do të rrisë shpejtësinë e ngarkimit të postimeve
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)