Facebook rikthen foton e 9 vjeçares Vietnameze pas protestës së ashpër ndaj censurës

Publikuar më: 10-09-2016

Rrjeti social Facebook vendosi të ndalojë censurimin e fotos së një 9 vjeçareje të zhveshur e cila po ja mbathte nga një sulm me napalm. Ky reagim i Facebook erdhi menjëherë pas debatit të ashpër që ndoqi dhe kritikave të forta nga vetë Kryeministrja Norvegjeze, Erna Solberg.

Gjatë përplasjes mes një lideri të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe gjigandit të rrjetit social për mënyrën e patrullimit të internetit, Solberg tha se Facebook po ndryshon historinë duke fshirë foton e “vajzës së napalmit” në 1972.

Facebook argumentoi se fotoja shkelte standartet komunitare. “Pasi dëgjuam komunitetin tonë, dhe pasi rivlerësuam standartet e komunitetit e aplikuara për këtë rast, ne e njohim rëndësinë historike dhe globale të këtij imazhi i cili dokumenton një ngjarje me rëndësi,” ishte qëndrimi i Facebook pas përshkallëzimit të situatës.

Solberg publikoi foton e 9 vjeçares pasi Facebook e kishte fshirë nga faqja e gazetës së përditshme Norvegjeze Aftenposten. Ajo tha se ndalimi i Facebook përbën një kërcënim për lirinë e shprehjes. “Ata duhet të bëjnë diferencën mes pornografisë së fëmijëve dhe historisë,” u shpreh Solberg për agjensinë e lajmeve Reuters.

Aftenposten publikoi foton në krye të uebfaqes së saj ditën e Premte si formë revoltimi ndaj censurës së Facebook duke shkruar edhe një editorial me titull “I dashur Mark Zuckerberg.”

Norvegjia është një investitor në rrjetin social Facebook. Fondi kombëtar zotëron 0,52 % të Facebook me vlerë 1,54 miliard dollar. (PCWorld Albanian)

Facebook rikthen foton e 9 vjeçares Vietnameze pas protestës së ashpër ndaj censurës
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)