Facebook gati të rivalizojë Twitter me një aplikacion të ri lajmesh

Publikuar më: 13-08-2015

2c3aa594-53fc-4078-885e-74022c1b10f9-2060x1236Facebook po përgatitet ti japë një goditje të fortë Twitter. Mësohet se gjigandi i rrjetit social është duke testuar një aplikacion të ri i cili do të jetë i fokusuar vetëm tek lajmet.

Bëhet fjalë për një produkt i cili vjen në kuadër të iniciativës Facebook for Business dhe ndodhet ende në fazën beta të zhvillimit. Falë të këtij aplikacioni, përdoruesit do të jenë gjithnjë në dijeni të lajmeve më të fundit që do të mbërrijnë në smartfonin e tyre. Po ta shohim nga një këndvështrim më i gjerë, Facebook po kërkon të konkurojë drejtpërdrejtë Twitter, media sociale e cila gjithashtu është bërë pjesë e fushës së lajmeve në kohë reale.

Sipas raportit të publikuar nga Business Insider, i pari që na tregoi për ekzistencën e këtij aplikacioni, përdoruesit do të kenë mundësitë të zgjedhin fushat për të cilat ata janë të interesuar të marrin lajmet më të fundit. Në momentin që një lajm i ri publikohet, ata do të njoftohen përmes një njoftimi me 100 karaktere. Këtu qëndron dhe pikërisht ndryshimi mes këtij aplikacioni dhe atij të Twitter. Twitter bën të mundur shfaqjen e lajmeve më të fundit në renditje kronologjike. Kjo mënyrë e tillë paraqitje nuk është pritur mirë nga përdoruesit duke qënë se jo të gjitha lajmet mund ti interesojnë këtyre të fundit. Përzgjedhja e lajmeve sipas interesave të përdoruesit, do të jetë pika më e fortë e aplikacionit të Facebook.

Duket se kompanitë kanë kohë që ‘xhelozojnë’ njëra tjetrën. Jo të pakta kanë qënë herët kur Facebook dhe Twitter kanë huazuar idetë e njeri tjetrit. Twitter ka lënë të kuptohet se e ka zili aftësinë që ka Facebook për të kuruar përmbajtjen që përdoruesit e saj shohin. Jo më kot është munduar të sjellë diçka të ngjashme me seksionin Discover. Aplikacioni i lajmeve të Facebook është i fundit që i bashkohet portofolit të aplikacioneve të kësaj kompanie. Parashikohet që dhe ky aplikacion të jetë po aq i suksesshëm sa WhatsApp, Messenger, Hyperlapse etj. (PC World Albanian)

Facebook gati të rivalizojë Twitter me një aplikacion të ri lajmesh
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)