Europa vs Google: Si u shndërrua Android-i në një fushë betejë?

Publikuar më: 21-04-2016

4199Komisioni Europian ka akuzuar Google me abuzim të pozitave dominuese në tregun e telefonëve inteligjent përmes sistemit operativ mobil Android, duke penguar konkurrencën e ndershme dhe inovacionin. Por çfarë është Android, çfarë ofron Google dhe çfarë të tjerët po bëjnë me Android-in?

Android-i është sistemi operativ mobil më popullor në planet prezent në 80 % të telefonëve inteligjent në rang global sipas të dhënave që vinë nga Gartner, megjithatë ekzistojnë disa versione të tij.

Google ofron dy versione. I pari është bërthama e sistemit operativ quajtur Android Open Source Project (AOSP). Është me burim të hapur, falas për të gjithë për tu përdorur, modifikuar, ndryshuar apo adoptuar për çfarëdo lloj praktike apo qëllimi.

Që nga telefonët inteligjent, tek tabletët, sensorët, elektroshtëpiaket, makinat dhe makineritë industriale, AOSP është përshtatur në forma të ndryshme. Një version i AOSP është ai që gjendet tek tabletët e Amazon. Distributori i famshëm e mori AOSP e përshtati në atë që quhet Fire OS, duke përfshirë shërbimet dhe aplikacionet e saj, dhe e bëri pjesë të produkteve të kompanisë si Fire TV, tabletët dhe telefonët Fire.

Android-i i Google

Krahas AOSP, Google ofron suitën e saj të aplikacioneve dhe shërbimeve, ku është përfshirë edhe dyqani i aplikacioneve Google Play Store i cili është plot e përplot aplikacione nga palë të treta.

Një pjesë e konsiderueshme e telefonëve dhe tabletëve Android të shitur në Europë vinë me aplikacionet dhe shërbimet e Google të integruar, dhe është versioni i Android-it që një pjesë e madhe prej jush e përdorni.

Ndërsa AOSP mund të përdoret lirisht për çfarëdo qëllimi, suita e aplikacioneve të Google nuk ofron të tilla privilegje. Krahas saj ekzistojnë disa kushte që duhet të përmbushen përpara se Google të liçensojë një aplikacion për prodhuesit e telefonëve.

Janë 11 aplikacione në total pjesë e suitës së Google: Gmail, Google Chrome, Google Drive, Google Hangouts, Google Maps, Google Play Movies, Google Play Music, Google Photos, Google Play Store, Google Search dhe Youtube.

Që të përfitojë dyqanin e aplikacioneve Play Store, një prodhues duhet të përfshijë të 11 aplikacionet e Google. Kompania nuk kufizon prodhuesit e telefonëve në përfshirjen e aplikacioneve të tjera vetjake apo nga palë të treta. Në rastin e Samsung, telefonët Android të kompanisë përmbajnë disa aplikacione të Microsoft por që 11 aplikacionet e Google duhet të jenë të instaluara me patjetër.

Në momentin që më shumë se një aplikacion është i instaluar në telefon për një realizimin e një detyre të caktuar, Android-i do të kërkojë nga përdoruesi se cilin aplikacion dëshiron ta shfrytëzojë si parësor. Përshembull gjatë hapjes së një lidhjeje në shfletues, Android do të kërkojë nga përdoruesi nëse dëshiron ta hapë atë me Google Chrome apo shfletuesin e Samsung.

Google gjithashtu ka vendosur edhe disa kushte të tjera si në rastin e ndezjes së telefonit për herë të parë. Kutia e kërkimit në Google duhet të vendoset në ekranin parësor së bashku me një ikonë të Google Play dhe aplikacioneve të tjera të Google.

Përdoruesit janë të lirë të fshijnë aplikacionet dhe kutinë e kërkimit nga ekrani. Shqetësimi kryesor i Komisioni Europian qëndron tek fakti se pse Google nuk lejon instalimin e dyqanit më popullor në planet të aplikacioneve Android pa imponuar instalimin e aplikacioneve të tjera si atë të kërkimit dhe shfletuesit Chrome.

Sipas Komisionit kjo praktikë do të konsolidojë më tej pozitat dominuese monopolistike në treg të motorit të kërkimit të Google dhe shërbimeve të saj. Këto praktika sipas Komisionit pengojnë shfletuesit dhe shërbimet e rivalëve të konkurrojnë ndershëm në treg.

Madje Komisioni Europian është i shqetësuar edhe për praktikat e zhvillimit të sistemeve operative bazuar në kodin e Android dhe mundësitë që ofrojnë për zhvillimin e aplikacioneve dhe shërbimeve të reja.

Google akuzohet edhe për ofrimin e shumave financiare tek prodhuesit dhe operatorët e telefonisë celulare në këmbim të integrimit të aplikacionit Google Search në paisjet e tyre. (PCWorld Albanian)

Europa vs Google: Si u shndërrua Android-i në një fushë betejë?
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)